Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Kristjan Sterjon, i dyshuar për vrasjen e 20-vjeçarit Joan Zyko, ngjarje e rëndë që tronditi qytetin e Korçës më 8 gusht.
Seanca për caktimin e masës së sigurisë u zhvillua këtë të mërkurë në kushte të rrepta sigurie. Prokurorja Artenida Toska kërkoi masën “arrest me burg” për Sterjon, kërkesë që u pranua nga Gjykata e Korçës.
Në ambientet përreth gjykatës u vendosën forca të shumta policie, ndërsa institucioni u rrethua për shkak të ndjeshmërisë së lartë të çështjes. Në seancë nuk është paraqitur asnjë familjar, as nga familja e viktimës Joan Zyko dhe as nga familja e autorit të dyshuar.
Joan Zyko, 20 vjeç, u qëllua me armë zjarri pasditen e 8 gushtit në lagjen nr. 14 të Korçës. Sipas të dhënave të bëra publike nga hetimet, mes Zykos dhe Kristjan Sterjos kishte pasur një konflikt të mëparshëm.
Në dëshminë e tij para hetuesve, Sterjo ka dhënë versionin e tij për ngjarjen, duke deklaruar se konflikti kishte nisur rreth dy javë më parë. Sipas autorit të dyshuar, Zuku i kishte ngacmuar të dashurën. Ditën e ngjarjes pati fillimisht një përplasje fizike mes dy të rinjve, pas së cilës Sterjo u largua dhe shkoi në banesë.
20-vjeçari ka deklaruar se më pas ka marrë një armë zjarri që e kishte fshehur dhe është rikthyer në zonën ku ndodhej Zyko. Sipas dëshmisë së tij, ai e ka ndjekur 20-vjeçarin dhe ka qëlluar me armë në drejtim të tij.
Pas ngjarjes, Sterjo u largua nga vendi i krimit dhe për disa orë qëndroi në arrati. Policia e Korçës arriti ta lokalizojë dhe ta arrestojë rreth mesnatës së 9 gushtit, pranë zonës së Mitropolisë. Gjatë veprimeve hetimore janë administruar prova materiale dhe janë sekuestruar sende që dyshohet se kanë lidhje me ngjarjen.
Sterjo po hetohet për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Me vendimin e sotëm të Gjykatës së Korçës, Kristjan Sterjo do të qëndrojë në paraburgim gjatë vijimit të hetimeve.
Ndërkohë, hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të vrasjes vijojnë.





