Nga muaji korrik fermerët do të kenë mundësi të përfitojnë kredi me një normë interesi deri në 2%, më e ulta e dhënë ndonjëherë për këtë sektor.
Ky proces do të realizohet pasi qeveria ka vënë në dispozicion 3 miliard lekë, garanci për të gjtihë ata fermerë që nuk kanë kolateral për të marrë një hua. Kreu i ministrisë së Financave dha disa detaje së skemës së garancisë sovrane.
“Kjo garanci synon të zgjidhë një nga pengesat më të mëdha për financimin në këtë sektor, mungesën e kolateralit dhe të nxisë kreditim e këtij sektori kaq të rëndësishëm me kosto sa të ulët. Elementët kryesorë të skemës janë: garanci deri në 70% të vlerës së kredisë për fermerët dhe SME-të bujqësore; normë interesi e kufizuar në 2% dhe përdorim vetëm për investime që rrisin kapacitetin prodhues dhe konkurrueshmërinë: agropërpunim, mekanikë bujqësore, agroturizëm, peshkim, akuakulturë, sera moderne, etj”, tha ministri Malaj.
Gjatë një takimi me bankat e nivelit të dytë, kreu i Bankës së Shqipërisë kishte dhe një mesazh për sistemin bankar, që sipas tij duhet të kenë këtë sektor në fokus.
“Suksesi i kësaj platforme varet në një masë të madhe nga përfshirja dhe angazhimi juaj për shfrytëzimin e instrumenteve të saj. Ju ftoj t’i jepni bujqësisë vëmendjen dhe ekspertizën që meriton. Mbështetja e sektorit bujqësor duhet të shihet edhe si detyrim moral ndaj Shqipërisë, vendi në të cilin zhvilloni me siguri dhe rentabilitet biznesin tuaj”, tha Sejko.
Bujqësia përfaqëson 1/3 e të punësuarëve në vend, por kredia që jepet për këtë sektor është më pak se 1% e totalt të dhënë. Instrumenti i ri financiar me garanci sovrane mbetet për tu parë sa efektiv do të jetë, pasi vitet e fundit sektori nuk po perfomon pozitivisht./vizionplus.tv





