Subscribe

Me 30 minuta diferencë, dy forcat kryesore politike, Partia Socialiste dhe Demokratike me aleatët e saj çelin zyrtarisht fushatën për parlamentaret e 25 Prillit.

Si socialistët dhe demokratët prezantimin e programeve të tyre e nisin nga Tirana.

Në orën 18.00 kryeministri Edi Rama do të mblidhet me të tijët në sheshin “Skënderbej”.

Nën shtatoren e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, po ngrihet platforma ku kryesocialisti Edi Rama do të mbajë fjalën e hapjes në sloganin “Shqipëria e Ardhmja Jonë”.

Në përmbushje të rregullave kundër përhapjes së virusit, skuadra me të cilën Edi Rama do të shkojë në zgjedhjet e 25 Prillit për një mandat të tretë qeverisë do të qëndrojë përballë tij.

Rindërtimi, lufta kundër Covid-19 dhe zbatimi i reformës në drejtësi përbëjnë tre nga elementët kryesorë mbi të cilën është ngritur fushata zgjedhore e socialistëve.

Gjysmë ore më herët, në 17 e 30, Partia Demokratike dhe aleatët e saj do të çelin fushatën zgjedhore në sheshin “Nënë Tereza”.

Ndryshe nga trëndafili në grusht, tè ulur në karrige, demokratët do të vijnë me makina. E ngjashme me fushatën e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, sheshi “Nënë Tereza” do të “pushtohet” nga mjetet.

Kryedemokrati Lulzim Basha do të mbajë fjalën nga ballina e Universitetit Politeknik.

Në çeljen e fushatës së koalicionit të udhëhequr nga Partia Demokratike-Aleanca për Ndryshim nuk do të jetë Lëvizja Socialiste për Integrim. Monika Kryemadhi do të jetë në Divjakë, me aktivitetin e saj të përditshëm elektoral.

Ndezja zyrtarisht e motorëve të socialistëve dhe demokratëve është prirë edhe nga prezantimi i spoteve elektorale në rrjete sociale.

Me urimin për hajër në ditën e parë të ndeshjes zgjedhore, dhe nën leximin e aktorit Robert Ndrenika, Edi Rama që në hyrje premton ndërtimin e Teatrit Kombëtar, ekonomi më të fortë, lulëzimin e turizmit, përkujdesje për të pamundurit dhe më shumë mundësi për të rinjtë.

Nën sloganin “Shqipëria fiton”, kryedemokrati Lulzim Basha vjen thjesht, mes njerëzve.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *