Është hapur pas një kohe të gjatë muzeu arkeologjik në Durrës i cili iu nënshtrua një rikonstruksioni të plotë.
Ai u dëmtua nga tërmeti i vitit 2019, ndërkohë që sot u realizua edhe ceremonia e inaugurimit.
Tashmë muzeu arkeologjik është tërësisht i ridimensionuar me tre katet funksionale dhe në total janë ekspozuar më shumë se 2300 artefakte që i përkasin periudhave të ndryshme historike.
“Një punë transformuese që flet vet. Së brendshmi është rikrijuar duke sjellë një nivel të ri. Besoj që kudo ku tërmeti ka goditur çfarë është ndërtuar mbrapa flet vete. Programi EU4CULTURE ka një rëndësi të madhe. Janë të gjitha arsyet për të nxjerrë në pah historinë e një vendi të vogël, rrënjësisht dhe thellësisht europian. Duhet thënë që Europa nuk është gjithmonë pa zemër, zemrën e ka por duhet vullnet e durim për ta arritur dhe ndjerë rrahjet…”, tha kryeministri Rama.
Për dy javët e para hyrja në muze do të jetë falas, ndërkohë që në një kënd të tij janë ekspozuar edhe pjesë nga mozaiku i famshëm Bukuroshja e Durrësit, i cili kthehet në qytetin bregdetar pas shumë vitesh.
Muzeu arkeologjik tashmë ka edhe një staf më të madh me ciceronë dhe specialistë të ndryshëm që do të shërbejnë gjatë kohës që aty do të vijnë vizitorët vendas dhe të huaj.
Rikonstruksoni i muzeut arkeologjik ështe realizuar me fondet e Bashkimit Europian.





