Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, gjatë bashkëbisedimit me aplikuesit dhe përfituesit e fazës së parë të “Paketës së Maleve” në Bashkinë Vau i Dejës, deklaroi se zhvillimi i zonave malore është një prioritet dhe se Shqipëria duhet të ecë përpara në çdo cep të saj.
“Nuk mund t’ia lejojmë vetes që zonat malore të mbeten pas. Shqipëria duhet të zhvillohet në çdo cep të saj. Pikërisht për këtë mendojmë se ‘Paketa e Maleve’ është një shtysë e fortë për të zhvilluar zonat malore dhe ekonominë lokale në këto zona”, u shpreh Koçiu.
Ajo bëri të ditur se deri tani janë miratuar mbi 400 zona zhvillimi në 52 bashki të vendit, ndërsa janë mbi 1200 aplikime të miratuara.
Sipas Koçiut, interesi për këtë nismë ka qenë i jashtëzakonshëm, ndërsa hodhi poshtë akuzat dhe pretendimet për keqinterpretim të qëllimit të saj.
“Si çdo gjë e re që bëhet, si çdo gjë e mirë që bëhet, fillon edhe përbaltja. E keni dëgjuar baltosjen që i është bërë edhe ‘Paketës së Maleve’, me fushatën e dezinformimit që filloi, duke thënë se është një paketë për oligarkët apo për investitorët e huaj. Nuk është e vërtetë”, deklaroi ajo.
Koçiu theksoi se kjo paketë është një mundësi veçanërisht për bizneset familjare dhe banorët që jetojnë prej vitesh në zonat malore, të cilët më parë nuk kanë pasur mundësi të zhvillojnë idetë apo projektet e tyre për shkak të pamundësisë për të disponuar pronën mbi truallin ose objektin ku do të realizohej investimi.
“Është një mundësi e jashtëzakonshme për bizneset familjare, për ata që kanë vite që jetojnë në ato zona dhe nuk kanë pasur mundësinë të zhvillojnë një ide të tyre për shkak të pamundësisë së disponimit të pronës mbi truallin apo objektin ku do të duhet të zhvillohet ideja apo projekti që ata kanë”, përfundoi Koçiu.





