E diel, 29 Nëntor 2026 Safir deri në 18:00 Në vijim ora 18:00: Diagnozë Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Breaking përditësuar 6 sekonda më parë
Vendi

Plagosja e deputetit Kliti Hoti, reagon Policia: Efektivi nuk kishte urdhër të qëllonte me plumba gome

Policia e Shtetit ka reaguar zyrtarisht lidhur me incidentin e ndodhur gjatë protestës së sotme, ku deputeti i Partisë Demokratike, Kliti Hoti, mbeti i plagosur pasi u godit me plumb gome nga një efektiv policie.

Përmes një deklarate për mediat, Policia bën me dije se efektivi i përfshirë në ngjarje, Ersild Alliu është pezulluar me njëherë nga detyra me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

DEKLARATË E POLICISË SË SHTETIT

Policia e Shtetit dënon me forcë çdo akt dhune dhe mbetet e vendosur në përmbushjen e misionit të saj për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, mbrojtjen e qytetarëve dhe respektimin e së drejtës kushtetuese për të protestuar.

Reklamë

Në lidhje me ngjarjet e 24 orëve të fundit, Policia e Shtetit thekson se asnjë akt dhune nuk mund të justifikohet me ushtrimin e së drejtës për të protestuar, sikundër asnjë akt dhune apo provokimi nuk mund të përligjë tejkalimin e kompetencave ligjore nga punonjësit e Policisë gjatë ushtrimit të detyrës.

Në lidhje me këtë të fundit, pas rastit të ndodhur gjatë ditës së sotme, ku një deputet është goditur nga një punonjës i Policisë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të punonjësit të Policisë, inspektor E.A.
Ndaj tij, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor, bazuar në pamjet filmike dhe faktet lidhur me veprimet individuale të tij, pasi punonjësi nuk kishte marrë urdhër për të qëlluar me plumba gome.

Ndërkohë, në lidhje me të njëjtin rast, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur menjëherë veprimet hetimore.

Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve që të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre për të protestuar në mënyrë paqësore, pasi Policia e Shtetit është e vendosur të zbatojë parimin e tolerancës zero ndaj çdo shkeljeje të ligjit, pavarësisht se nga kush kryhet.

Çdo akt dhune dhe çdo rast i dyshuar i tejkalimit të kompetencave duhet të trajtohet me objektivitet, transparencë dhe përgjegjshmëri institucionale, në përputhje të plotë me ligjin.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.