Arrestimi i pazakontë i Ermal Beqirit në Francë teksa po fluturonte mbi një reaktor bërthamor nuk është rastësor. Kështu u shpreh kryeprokurori i SPAK, Klodian Braho në një takim me gazetarët për të hetuarin nga organi që ai drejton për dosjen AKSHI.
“Prokuroria në çdo rast merr vendimin e gjykatës, ia çon organit që ka për detyrë ekzekutimin. Nuk ka qenë veprim i rastësishëm. Grupi hetimor prej disa javësh ka qenë në kontakt me autoritetet franceze. Ka pasur informacion. Ai ka qenë i lokalizuar prej disa javësh. Nuk ka qenë qëllimi vetëm tek arrestimi, por edhe tek veprime të tjera hetimore. Në ditët në vijim do të keni informacion zyrtar. Kaq mund të ndaj sot”, tha Braho.
Drejtësia shqiptare ka nisur procedurat për ekstradimin e biznesmenit Ermal Beqiri, për të cilin SPAK ka lëshuar urdhërarrest, ndërsa ai është është vënë në paraburgim. Nëse jepet pëlqimi nga shteti francez kthimi në atdhe do të finalizohet brenda pak ditësh. I pyetur për pasuritë e Ermal Beqirit në Francë, drejtuesi i SPAK, Klodian Braho, tha se Prokuroria e Posaçme ka kërkuar më herët sekuestrimin e tyre.
“Ne kishim kërkuar më herët nga autoritetet franceze sekuestrimin e pasurive të Ermal Beqirit. Nuk bëhet fjalë vetëm për avionë, por edhe për pasuri të tjera. Ne kishim informacion, e kishim lokalizuar dhe kishim nisur letërporosinë drejt Francës për kryerjen e disa veprimeve hetimore, për të cilat do të keni shumë shpejt edhe një njoftim zyrtar”, tha Braho.
I pyetur për hetimet e 21- janarit dhe të Gërdecit, Braho u përgjigj: Për 21 janarin, ne kemi dërguar letërporosinë, por ende nuk kemi marrë ekspertizën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për Gërdecin, është një çështje që vijon të jetë nën hetim. Hetimet po vazhdojnë dhe nuk kam diçka tjetër për të ndarë në këtë moment. Janë kryer veprime hetimore brenda Shqipërisë, si edhe përmes letërporosive të ndryshme. Çështja vazhdon të trajtohet dhe hetimet janë ende në zhvillim.
Ndërkaq, për kreun e Partisë Mundësia Agron Shehaj kryeprokurori u shpreh se po verifikohet kallëzimi i nisur pas tentativës së tij për të marrë një dokument nga Komisioni i Sigurisë.





