Katër orë luksoze, me vlerë rreth 200 milionë jen, ose më shumë se 1.2 milionë dollarë, janë grabitur në një dyqan në lagjen Nakano të Tokios. Sipas policisë, një burrë theu me një objekt që dyshohet të ketë qenë çekiç vitrinën e dyqanit dhe mori katër orët e shtrenjta.
Grabitësi qëndroi në dyqan për rreth 10 sekonda, përpara se të largohej me vrap së bashku me një person tjetër. Në momentin e ngjarjes ndodheshin pesë punonjës në dyqan, por asnjëri prej tyre nuk pati kontakt me autorin dhe nuk pati të lënduar. Policia ka nisur kërkimet për dy personat e dyshuar.
Orët e vjedhura janë prodhuar me dorë nga prodhues prestigjiozë dhe tregtohen me çmime shumë të larta. Sipas Hirota Masayuki, kryeredaktorit të edicionit japonez të revistës Chronos, disa prej këtyre orëve mund të kushtojnë qindra mijëra dollarë ose më shumë, duke i bërë ato objektiv tërheqës për grabitësit, pasi janë të lehta për t’u transportuar dhe rishitur.
Grabitja ndodhi në kompleksin tregtar Nakano Broadway, i cili njihet për numrin e madh të dyqaneve të orëve luksoze dhe konsiderohet një qendër e rëndësishme e tregtisë së orëve në botë. Ekspertët thonë se rritja e vlerës dhe kërkesës për orët e nivelit të lartë ka bërë që raste të tilla të jenë shtuar edhe jashtë Japonisë.\
/vizionplus.tv





