Subscribe

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka njoftuar se e ka gati projektligjin për Mbrojtjen Civile ndërsa ka ftuar ekspertët që të bëjnë propozime.

 

Në një postim në “Facebook”, ministrja Xhaçka shprehet se riorganizimi i Emergjencave Civile nuk mund të jetë vetëm përgjegjësi e Ministrisë së Mbrojtjes.

 

Xhaçka thekson se emergjencat kanë nevojë për përmirësime ndonëse projektligji i ri që ka hartuar ministria i përcakton qartë rolet e pushtetit qendror e lokal. Sipas Xhaçkës, me projektligjin e ri do të rriten kapacitetet administrative.

 

“Riorganizimi i Emergjencave Civile nuk mund të mjaftohet vetëm me kalimin e tyre nën përgjegjësinë e Ministria e Mbrojtjes. Përvoja e viteve të fundit na ka mësuar që emergjencat kanë nevojë për përmirësime edhe sa i përket kuadrit ligjor. Kemi gati projektligjin që synon ngritjen në një nivel më të lartë të efektivitetit të sistemit të mbrojtjes civile, i cili përcakton detyrat dhe përgjegjësitë e institucioneve, të subjekteve private, organizatave dhe shoqatave të shoqërisë civile, dhe të shtetasve në tërësi. Projektligji përcakton më qartë se kurrë përgjegjësitë e pushtetit qendror e lokal, përcakton parashikimet në buxhet për emergjencat dhe është në përputhje me direktivat e BE-së. Rrit rolin e prefektit dhe krijon Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, e cila do të ketë kapacitete shumë më të mëdha administrative, përgjegjësi dhe kompetenca më të gjera. E fundit, por kurrsesi më pak e rëndësishmja; nxit vullnetarizmin, dhe meqë jemi këtu, jam e lumtur të mirëpres çdo sugjerim nga profesionistë dhe ekspertë për projektligjin, përpara se ta dërgojmë në qeveri e mandej në Kuvend.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *