Zhvillimet dinamike të tregut të punës nën ndikimin e teknologjive të reja kanë vendosur universitetet shqiptare përballë nevojës për një ridimensionim të ofertës akademike.

Në universitetin Bujqësor të Tiranës, ku janë boshatisur auditorët në degë të rëndësishme për ekonominë e vendit, ky proces reformimi do të mbështetet nga universiteti i Burimeve Natyrore dhe Shkencave të jetës në Vjenë.

“Universiteti “BOKU” në Vjenë aktualisht ka rreth 6 mijë studentë dhe ofron 8 programe bachelor dhe mbi 35 programe master nga të cilat dhjetë janë ndërkombëtare. Aktualisht në universitetin Bujqësor të Tiranës janë 6100 studentë dhe ne kemi në total 62 programe studimi, që janë shumë. Bachelor kemi 24 programe dhe pjesa tjetër janë master dhe doktoraturë. Nuk jemi në nivelin që duhet, nuk jemi në nivelin që kërkon koha, biznesi privat dhe të rinjtë”, tha Fatbardh Sallaku, rektor i Universitetit Bujqësor të Tiranës.

Ekspertët vërejnë se e ashtuquajtura “autonomi e universiteteve” dhe vetëfinancimi i tyre, janë një pikë e rëndësishme e problematikave që reflekton sot arsimi i lartë.

“Ne jemi të vetëdijshëm që oferta akademike qe ne ofrojmë, ka pësuar një fragmentarizim shumë të madh të programeve që shpeshherë janë të ngjashme me njëra tjetrën, duke bërë që të kemi numër të limituar studentësh dhe disa nga ato edhe të mos aktivizoheshin fare. Reforma synon një analizë të thellë dhe ristrukturim të ofertës akademike në katër vitet e ardhshme”, tha Sallaku.

Studentët që janë regjistruar në programin e agronomisë, peshkimit, zooteknikës, mbrojtje bimësh, hortikulturë, inxhinieri pyjesh, inxhinieri përpunimi dhe menaxhim i burimeve natyrore kanë përfituar mbështetje deri në masën 100% përmes bursave prioritare, duke shmangur rrezikun për mbylljen e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *