Sot është Dita e Personave të Zhdukur me Dhunë, në Mejë. Me rastin e kësaj dite u mbajt tubim përkujtimor organizuar nga

Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Komisioni Qeveritar për personat e zhdukur, Këshilli Koordinues i asociacionit të familjarëve të të zhdukurve të Kosovës dhe Shoqata “27 prilli 1999 Mejë”

Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, vendosën buqetë me lule në kujtim të Nënës Pashke dhe bënë nderime te memoriali i ngritur në përkujtim të vrarëve në masakrën në Mejë.

Kosova po shënon Ditën e Personave të Zhdukur me Dhunë gjatë luftës në kujtim të tyre, masakrës në Mejë dhe të gjithë personave të zhdukur dhunshëm gjatë luftës, tha Kryeministri Kurti në fillim të fjalës.

Në historinë e luftës së Kosovës, kryeministri theksoi se masakra e kryer në Mejë dhe Korenicë më 27 prill 1999, është më e madhja.

“Atë ditë, në këto fshatra të Gjakovës u vranë 376 civilë shqiptarë të paarmatosur dhe të pafajshëm. Në mesin e tyre edhe 11 nxënës e 20 arsimtarë. U vranë shqiptarët pa dallim moshe, gjinie, prejardhjeje, a feje. Këtu i kemi bashkë varret e myslimanëve e të katolikëve të vrarë vetëm dhe vetëm pse ishin shqiptarë’’, u shpreh ai.

Teksa risolli në kujtesë ngjarjen e dhimbshme të Mejes, ai tha se “sot do të donte që nga aty, nga Meja, ku 25 vite më parë është kryer masakra më e madhe gjatë luftës në Kosovë, të flasë edhe për një luftë tjetër, një luftë të papërfunduar: luftën për luftën e Kosovës”.

‘’Ndonëse lufta e armatosur dhe e përgjakshme në Kosovë përfundoi në qershor të vitit 1999, lufta për luftën e Kosovës, nuk ka përfunduar asnjëherë dhe ajo vazhdon edhe sot. Në njërën anë është Serbia autokratike që përpiqet t’i fshehë dhe mohojë krimet e kryera prej saj në Kosovë, duke u ikur përgjegjësive për to. Kurse në anën tjetër është Kosova demokratike, që me shoqërinë dhe shtetin e saj e thotë të vërtetën për luftën e Kosovës, që nga vendet ku janë kryer krimet gjatë luftës sikur Meja dhe deri në instancat më të larta ndërkombëtare, sikur në Organizatën e Kombeve të Bashkuara’’, u shpreh kryeministri.

Ai foli për luftën speciale të shtetit të Serbisë për t’i përvetësuar, imponuar dhe dominuar narracionet për luftën e Kosovës, shkruajnë mediat në Kosove.

“Përballë këtyre hileve të Serbisë me mashtrime, Republika e Kosovës lufton në të drejtën e saj kundër propagandës së Serbisë, në beteja për të vërtetën historike të luftës së Kosovës dhe për adresimin e saj para drejtësisë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *