Subscribe

Nga sot e tutje Ilir Meta do të cilësohet si president i Partisë së Lirisë, pasi në Konventën e sotme të partisë u bënë votimet për presidentin e partisë, ku fitues në garën me Faik Bashën u shpall Meta.

Pak orë pas përfundimit të Konventës së PL-së, Ilir Meta dhe simpatizantët e PL-së u nisën në këmbë në një tubim nga selia e partisë drejt zonës ku ndodhet ish-kryeministri Sali Berisha, i cili është i izoluar në arrest shtëpie.

Për të treguar mbështetjen e tij për Berishën, Meta veshi një bluzë të zezë me foton e Berishës dhe me mbishkrimin “Lironi liderin e opozitës”.

 Gjatë rrugës drejt pallatit të Berishës Meta tha: “Po shkoj drejt legjendarit Sali Berisha, për të përshëndetur në emër të të gjithë shqiptarëve. Sot gjykova se duhet të isha dhe vetë poshtë pallatit të Berishës për të dhënë një mesazh të qartë se Berisha është atje për arsye për të liruar të gjithë shqiptarët”. 

Pse sot?

“Sot sepse sot u bëra president, sepse deri sot isha kryetar. Më duhet të bëhesha president i PL-së, që të shkoja te president ii përgjithshëm (i referohet Berishës)”, tha Meta për gazetarët.

“Moj Serbi, murin ta prisha se më thonë Sali Berisha. Po, Sali Berisha është atje dhe nuk është këtu se doli kundër copëtimit të Kosovës. Sali Berisha është atje dhe nuk është këtu se doli kundër shpopullimit të Shqipërisë. Sali Berisha është atje dhe nuk është këtu se nuk u bë pjesë e pazareve të ulëta për të shkatërruar pluralizmin politik. Ata kujtojnë se kanë izoluar Sali Berishën, por ata e kanë ndihmuar Sali Berishën, i kanë dhënë një podium më të lartë, e kanë afruar me qiellin dhe me Zotin që t’u flasë shqiptarëve më kthjellët. Adenauer ka thënë të gjithë jetojmë në të njëjtin qiell, por nuk shohim të njëjtin horizont. Sali Berisha ka avantazhin që këta puçistët e Ramaformës e kanë ngjitur lart dhe shikon shumë më tepër se ne që jemi këtu poshtë. Janë të shumtë ata që thonë se pse nuk ka ardhur Ilir Meta këtu ku vijnë shqiptarët dhe patriotët. Por presidenti duhej të vinte si president te presidenti i përgjithshëm, Sali Berisha. Keni pasur këtu çdo natë avokatin sulmues, jo mbrojtës, Genc Gjokutaj dhe shumë përfaqësues të tjerë të Partisë së Lirisë. Dua t’u them të gjithëve, politika është politikë, por atdheu është një dhe vetëm një”, tha Meta poshtë pallatit të Berishës.

Meta tha më herët sot  se do të shkojë poshtë pallatit të Berishës për t’i shprehur udhëheqësit të burgosur të demokratëve se ata janë bashkë në betejën kundër Edi Ramës. Sot në Pallatin e Kongreseve u mbaj për rreth 6 orë Konventa e Partisë së Lirisë.

Në konventë sot u bënë  votimet për presidentin e Partisë së Lirisë. Në garën Ilir Meta dhe Faik Basha, Meta siguroi shumicën e votave, duke u bërë kështu President i Partisë së Lirisë.

Ilir Meta premtoi se do të jetë Partia e Lirisë e rithemeluar që do të largojë nga qeveria Edi Ramën. Të tijëve në konventën kombëtare u tha se tradhëtarët dhe ata që nuk sakrifikojnë për partinë janë të përjashtuar.

Gishtin e akuzës për gjendjen ku ndodhet sot Partia e Lirisë me vetëm katër mandate në parlament e drejtoi nga Lulzim Basha.

Kryetarin e Partisë Demokratike e akuzoi se bashkë me kryesocialistin Edi Rama bashkëpunoi për të fundosur ish Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Edi Ramën dhe Engjëll Agaçin i akuzoi si mafiozët e Shqipërisë. Në fjalën e gjatë Monika Kryemadhin nuk e përmendi asnjëherë në emër edhe pse i referohej asaj kur thonte që nepotizimi është shkaku i shndërrimit të ish LSI-së në një forcë të dobët politike./vizionplus.tv/

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *