Subscribe

Mesnata e të hënës shënon afatin e fundit për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputet dhe përzgjedhja e ekipit garues për 25 prillin është fokusi kryesor i liderëve të partive politike.

 

Dy forcat kryesore në vend, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike do të mbledhin nesër pasdite forumet për të miratuar listën e kandidatëve për çdo qark para se t’i dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

 

Socialistët do të mbledhin Kryesinë në orën 18.00, por për shkak të pandemisë në selinë e PS do të jenë vetëm kryeministri Edi Rama dhe drejtuesit politikë të 12 qarqeve; ndërkohë që anëtarët e tjerë do të jenë online.

 

Edhe pse ekipi socialist do të merret vesh vetëm pasi lista e kandidatëve të miratohet në Kryesi; ajo që dihet sot është se drejtuesit politikë nuk do të kryesojne listën, por do të jenë të renditur poshtë, në limitin e pozicioneve të sigurta; psh numri dy i PS Taulant Balla do të jetë i teti në Qarkun e Elbasanit dhe jo i pari siç partitë kane vepruar tradicionalisht. Por pavarësisht kësaj renditjeje dhe pavarësisht se sa mandate merr PS në çdo qark; drejtuesit politik i ndihmon lista e hapur pasi nëse marrin rreth 10 mijë vota ata automatikisht dalin të parët duke thyer renditjen e partisë.

 

Por nëse socialistët e kanë zbatuar këtë parim pjesërisht edhe në vitin 2017, në Partinë Demokratike gjithnjë drejtuesit politikë kanë qenë të parët e listës së kandidatëve për deputet.

 

Pasditen e të hënës Lulzim Basha do të mbledhë Kryesinë e më pas edhe Këshillin Kombëtar për të miratuar listën e kandidatëve për deputetë. Ende nuk dihet ora e mbledhjes dhe as nëse ajo do të jetë  fizikisht apo online, por mundësia më e madhe është që të zhvillohet online pasi Këshilli ka rreth 300 anëtare.

 

Pak detaje kanë dalë nga përbërja e listës së kandidatëve për deputet të opozitës; një listë që përveç figurave të Partisë Demokratike, përfshin edhe aleatët; LSI në disa qarqe dhe sipas premtimit të Lulzim Bashës, edhe figura të reja.

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *