Gjashtë sisteme fotovoltaike diellore janë dorëzuar zyrtarisht në bashkitë e Klosit dhe Dibrës. Ceremonia, në të cilën morën pjesë Ambasadorja e Japonisë në Shqipëri, Kato Kikuko, Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së, Monica Merino, Kryetari i Bashkisë së Dibrës, Rahim Spahiu, Kryetarja e Bashkisë së Klosit, Valbona Kola, dhe qytetarë, shënoi një hap të rëndësishëm në rrugën e energjisë së qëndrueshme të bashkive.

Këto instalime, nga të cilat përfitojnë gjashtë ndërtesa publike duke përfshirë shkolla të mesme, kopshte dhe ndërtesa të bashkisë, nënvizojnë ndikimin e dukshëm të zgjidhjeve për energjinë e qëndrueshme në komunitetet lokale.

Me një kapacitet total të instaluar prej 542 kWp, sistemet fotovoltaike të instaluara në Klos, Dibër, Shkodër dhe Përmet, janë të përgatitura për të reduktuar në mënyrë të konsiderueshme emetimet e karbonit me një shumë prej rreth 20,000 tonë gjatë jetës së tyre 25-vjeçare, duke siguruar qasje në energji të pastër dhe të gjelbër për rreth 2,124 fëmijë, zyrtarë publikë dhe qytetarë.

Zbatuar në kontekstin e projektit “Transformimi i tregut për përshpejtimin e energjisë diellore PV në Shqipëri”, i financuar nga Qeveria e Japonisë dhe i zbatuar nga UNDP-ja në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencinë për Eficencën e Energjisë, qeveritë lokale, ky projekt kishte si synim të shpejtonte tranzicionin e Shqipërisë drejt burimeve të energjisë së rinovueshme.

Me një financim prej 859,000 USD nga Qeveria Japoneze, projekti ka mbështetur zbatimin e zotimeve të Shqipërisë në lidhje me Ndryshimet Klimatike të pajtueshme me Marrëveshjen e Parisit, duke përforcuar angazhimin e vendit për zhvillim të qëndrueshëm ndaj klimës.

Ambasadorja e Japonisë në Shqipëri, KATO Kikuko, theksoi: “Në qendër të këtij projekti është mbështetja për përpjekjet e Shqipërisë në dekarbonizim dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike. Ne shpresojmë që instalimi i sistemeve fotovoltaike diellore në të dy bashkitë të kontribuojë në diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë përveç energjisë ujore në Shqipëri. Instalimi i sistemeve fotovoltaike diellore gjithashtu do të kontribuojë në furnizimin e qëndrueshëm të energjisë elektrike dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm në Shqipëri. Gjithashtu do të ndihmojë në përshpejtimin e zbatimit të Planit të Veprimit të Kontributit të Kombëtar të Përcaktuar (NDC). Në zbatimin e këtij projekti, Japonia organizoi një seminar të përbashkët me UNDP-në dhe përfaqësuesit e të dy bashkive. Nëpërmjet këtij seminari mundëm të ndajmë përvojën dhe njohuritë tona në energjinë e rinovueshme me miqtë tanë shqiptarë. Dua të shpreh mirënjohjen time për angazhimin e palëkundur të ekipit të UNDP-së dhe ekipit zbatues të bashkive gjatë gjithë procesit të këtij projekti.”

Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së në Shqipëri, Monica Merino, nënvizoi: “Ky projekt është një kontribut i qëndrueshëm drejt zbatimit të Planit të Veprimit të Kontributit Kombëtar të Përcaktuar. Jam mirënjohëse Qeverisë se Japonisë për partneritetin dhe mbështetjen e tyre të çmuar, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vende të tjera nëpër botë, në përpjekjen tonë të përbashkët për të ndërtuar një të ardhme me zero-emetime. Qeveria e Japonisë është një partner i rëndësishëm i UNDP-së dhe luan një rol të rëndësishëm në përkthimin e zotimeve të klimës në veprime të prekshme në terren.”

Nëpërmjet mbështetjes së politikave të synuara, instalimeve pilot në ndërtesa bashkiake dhe nismave për zhvillimin e aftësive, projekti ka synuar promovimin e energjisë diellore si një nga burimet kryesore të energjisë rinovueshme përveç energjisë së ujit.

Duke përdorur ekspertizën japoneze dhe teknologjitë e përparuara, projekti ka përmirësuar aftësitë teknike dhe ka nxitur sipërmarrjen në sektorin e energjisë diellore. Ceremonia e dorëzimit në bashkitë e Dibrës dhe Klosit simbolizoi bashkëpunimin e suksesshëm mes Japonisë, UNDP-së, dhe partnerëve lokale në avancimin e qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm.

Në përputhje me qëllimet e përcaktuara në COP26, UNDP-ja përmes iniciativës së Premtimit Klimatik rikonfirmoi përkushtimin për të mbështetur vendet në përkthimin e qëllimeve të Planit të Veprimit të Kontributit Kombëtar të Përcaktuar (NDC-së) në veprime konkrete. NDC-ja e përmirësuar e Shqipërisë, paraqitur në tetorin e vitit 2021, tregoi një përkushtim të vendosur për reduktimin e emetimeve të gazrave me efekt serre dhe përqafimin e zgjidhjeve të energjisë së pastër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *