Mësuesit e rinj që duan të punësohen në sistemin parauniversitar do të testohen më datë 7 maj duke patur mundësinë që brenda të njëjtës ditë të kryejnë provimin e licencimit dhe pas tij edhe aplikimin në portalin “Mësues për Shqipërinë”. Ky vendim shkurton kohën e pritjes së mësuesve, me të paktën 6 muaj.

“Kemi 3400 aplikime në të 24 profilet e mësuesisë. Janë dy profile të reja që janë futur sivjet, arti skenik dhe koreografia. Ky provim do të zhvillohet për 30 minuta me 20 pyetje që kanë 70 pikë, pra është një provim që teston vetëm pjesën didaktike, pedagogjike, pjesën e metodologjisë dhe drejtshkrimi”, tha Aurora Balliu.

Kreu i rrjetit akademik shqiptar bën të ditur se në vitet e fundit ka patur një shifër 7-8 % sa i takon kërkesës për degët e mësuesisë, një numër konstant aplikimesh që reflektohet edhe në portalin “Mësues për Shqipërinë”.

“Të paktën për tre vjeçarin e fundit kemi patur mbi 10 mijë aplikantë për çdo vit dhe vitin e fundit kemi 12 mijë aplikantë. Ndërsa në rang të drejtorive rajonale , numrin më të lartë të aplikimeve e ka drejtoria rajonale e Durrësit me 4370 aplikime, vjen pastaj Fieri me 2700 aplikime, Korça me 3500 aplikime si DRAP dhe Lezha me 1350”, tha Arjan Xhelaj.

Nevoja më e madhe që vërehet në sistemin arsimor është ajo për mësues të arsimit special. Vetëm në zyrën vendore arsimore Tiranë aktualisht gjenden 101 vende vakante.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *