Sali Berisha u paraqit ditën e sotme në Prokurorinë e Posaçme për të zbatuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” të caktuar ndaj tij nga Apeli i GJKKO-së.
Pasi doli nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme, Berisha foli për gazetarët. Ai hodhi akuza ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani për të cilin tha se fle mbi dosjet e krimit.
Berisha: Organizata kriminale SKAP-i i partisë kërkoi nga gjykatësi kukull që Sali Berishës t‘i rikthehet arresti në shtëpi. Sali Berisha i ka sulmuar dhe do t’i sulmojë të gjithë ata që bashkëpunojnë me krimin. Sali Berisha do faktojë se si Altin Dumani fle mbi dosje krimi. Altin Dumani është një kryekriminel elektoral sepse ka mbyllur të gjitha dosjet e krimit monstruoz elektoral. Aty gjeta McGonigalin që po trajnonte Altin Dumanin. Nuk e solla unë McGonigalin aty. Ai i thoshte “në këtë mënyrë duhet të veprosh herët e tjera”. Gjeta aty lali vjedhësin, po rrihej me kolegët. Dumani me një grup vepron si një organizatë kriminale.
Rikthimi i masës “detyrim paraqitje”
Kreu i PD-së Sali Berisha u paraqit sot në ambientet e SPAK pas masës së sigurisë së dhënë nga Apeli i Posaçëm.
Apeli i GJKKO caktoi më 3 Janar “Detyrim paraqitje” ndaj ish-kryeministrit të vendit. Për rrjedhojë Berisha do të duhet që të paraqitet në SPAK dy herë në muaj, të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji. Jashtë ambienteve të SPAK Berisha u prit me brohorima nga protestuesit demokratë, të cilët sipas lajmërimit ishin mbledhur para Prokurorisë së Posaçme.
“Nesër, në orën 9:30, të gjithë së bashku përpara selisë së SKAP, për të protestuar kundër akteve përndjekëse që kjo vegël në duart e Ramës, bën kundrejt kundërshtarëve politikë të tij.
Do të jemi aty nesër në mbështetje të së drejtës, ligjit dhe së vërtetës, që janë në anën e liderit të opozitës, Prof. Dr. Sali Berishës. E hënë, 6 janar, ora 9:30, përpara SKAP-it”, njoftoi ditën e djeshme demokrati Flamur Noka në Facebook./vizionplus.tv





