“Një qytet për të gjithë”, është libri i ish-kryebashkiakut të Bogotas, Enrique Penalosa, i përkthyer së fundmi në shqip.
Në promovimin e tij mori pjesë edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se Penalosa është një frymëzues për kryebashkiakët kudo në botë.
“TransMilenio [sistemi i transportit në Bogota] ishte një mënyrë shumë kreative për qytetet që nuk e përballojnë dot koston e një metroje. Ne kemi marrë grantin më të madh dhe kredinë më të madhe mes KfË dhe BE për të prodhuar versionin tonë të TransMilenio-s. Duke qenë se nuk jemi ende në kushtet financiare që të përballojmë një metro, – të cilën do ta përballojmë kur të jemi në BE dhe të kemi akses në financa më të mëdha, – na duhet një zgjidhje e ndërmjetme. Frymëzimi se si TransMilenio sot është kopjuar ose përshtatur nga 300 qytete, besoj se është një lajm i mirë për vendimmarrjen që kemi marrë, por edhe për faktin se një pjesë e ekipit të Penalosas do të na ndihmojnë në këtë drejtim në Tiranë”, tha Veliaj.
Në fjalën e tij, Penalosa theksoi se libri flet për mënyrën se si mund t’i bëjmë qytetet më të mira.
“Ky libër flet se si mund t’i bëjmë qytetet më mirë. Unë jap shumë shembuj nga përvoja ime, por sot do të theksoj çfarë mendoj dhe dëshiroj që të jetë thelbi i librit, që është çështja e barazisë. Asgjë nuk është më e rëndësishme. Qytetet që po ndërtojmë do të jenë aty për qindra dhe mijëra vjet. Kur ne ndërtojmë një qytet, jemi duke përcaktuar edhe stilin tonë të jetesës”, tha Penalosa.
Gjatë pritjes në Bashkinë e Tiranës, Penalosa u nderua me Çelësin e Qytetit./vizionplus.tv





