Nuk ka asgjë më të sikletshme se ndjesia që fshikëza e urinës mund ‘’të shpërthejë” nga momenti në moment dhe të gjendeni në vendin dhe momentin e gabuar, por në rastin e Pollyanna Love kjo gjë do të shndërrohej në një torturë të vërtetë. Gjithçka nisi në fillim të 2014-s, kur vajza angleze shfaqi edhe problemet e para serioze në traktin urinar.
‘’Isha vetëm 18 vjeç dhe sapo kisha nisur punën time të parë, e doja të kisha një performancë sa më të mirë, ndaj nuk i kushtoja rëndësi hidratimit dhe ushqyerjes së shëndetshme. Mendoja se problemet me urinimin lidheshin me stilin tim të jetesës, dhe se barku i fryrë ,që nuk e kisha më parë, ishte shfaqur pikërisht prej kësaj gjëje. Kisha gati dy javë pa shkuar në tualet dhe në fillim nuk ndjeja asnjë shqetësim, derisa një mbrëmje përfundova me urgjencë në spital. Mjekët më diagnostikuan me sindromën e Fowler-it, një gjendje e rrallë shëndetësore që më pengonte të urinoja normalisht dhe që shkakton tek pacientën e prekur prej saj, djegie të brendshme që mund të krahasohen me ato të shkallës së tretë.’’—rrëfen ajo për ‘’Daily Mail”.
Por ajo që la pa fjalë mjekët ishte fakti se fshikëza e së resë kishte mbledhur plot 3 litra urinë, ndërkohë që kapaciteti i saj në kushte normale është 500 ml. Pasi arritën t’ia thanin me anë të një kateteri dhe një qeseje stoma, vunë re se brenda fshikëzës së urinës ishte rritur gjithashtu një masë tumorale me përmasat e një topi bejsbolli. Pasi iu nënshtrua një sërë trajtimeve, Pollyanna iu rikthye jetës normale, ndonëse 5 vite pas operacionit ajo pranon se nuk shkon në banjë rregullisht, pasi përdor qesen stoma, dhe se ndihet gjithë kohës pa fuqi dhe ka dhimbje të gjithanshme.
Njëzetetrevjeçarja ka ndarë historinë e saj në mediet e shkruara britanike, pasi dëshiron të ndërgjegjësojë të gjithë njerëzit të mos injorojnë problemet shëndetësore dhe të përqafojnë një stil jetese sa më të shëndetshëm./Living






