Një stuhi e fortë breshëri, e shoqëruar me reshje intensive shiu, ka përfshirë mesditën e kësaj të premteje qytetin e Elbasanit, duke shkaktuar përmbytje në disa zona dhe probleme në qarkullimin rrugor.
Reshjet kanë zgjatur rreth 40 minuta, ndërsa breshëri ka mbuluar për pak minuta rrugët me një shtresë të bardhë, duke i dhënë qytetit pamjen e një dite dimri.
Si pasojë e intensitetit të reshjeve, pothuajse të gjitha akset kryesore të Elbasanit janë përmbytur, duke vështirësuar ndjeshëm lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve. Në disa segmente niveli i ujit është rritur ndjeshëm, ndërsa drejtuesit e mjeteve janë detyruar të ulin shpejtësinë për të shmangur rrezikun e aksidenteve.
Deri më tani nuk raportohen persona të lënduar, ndërsa autoritetet po monitorojnë situatën dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes në zonat e prekura.





