Opozita dhe mazhoranca nuk po arrijnë të gjejnë gjuhën e përbashkët sa i përket vijimit të Komisionit për reformën territoriale.
Gjatë mbledhjes të dy palët erdhën me agjenda të ndryshme ku mazhoranca kërkonte të diskutonte raportet e ekspertëve për gjetjet dhe problematikat e derimëtanishme.
“Mendoj se në respekt të punës së ekpertëve, para se ne të shkojmë në seancën e datës 23 për të bërë një raport në atë seancë për punën e komisionit, është shumë e domosdoshme të dëgjojmë edhe konkluzionet e ekspertëve, si në fushën e kompetencave, si në fushën e financave dhe në aspektin territorial”, tha Arbjan Mazniku, bashkëkryetar i PS për Reformën Territoriale
Por opozita nuk ishte e të njëjtit mendim, me pretendimin se ende nuk kanë ndjekur hapat e dakordësuara që prej fillimit duke kërkuar shtyrjen e afatit për komisionin deri në tetor.
“Ku është dokumenti politik? Ku janë dy ose tre variantet që duhet t’i paraqiteshin Komisionit? Si mund të flasim për një raport përfundimtar, kur pjesa më e madhe e detyrimeve të miratuara nuk është realizuar?”, u shpreh Luçiano Boçi, bashkëkryetar i PD për Reformën Territoriale
Debatet vijuan dhe më tej, me mazhorancën e cila fajësoi të djathtët për vonesat që shkaktuan çalimin e punës së komisionit.
“Nga data e konstituimit kanë kaluar 9 muaj. Ka pasur raste kur është thënë: ‘Jo këtë javë, sepse kemi protestë.’ Ne kemi qenë gjithmonë të hapur për të akomoduar çdo kërkesë të opozitës. Mazhoranca ka qenë shumë transparente dhe ka përgjegjësinë, si edhe barrën qeverisëse. Axhenda, në mënyrë sistematike, është penguar nga opozita”, shtoi Mazniku.
Pas mungesës së dakordësisë mes palëve, PS vijoi e vetme me dëgjesat e ekspertëve pa prezencën e opozitës ndërsa mbetet për t’u parë në se palët do të shkojnë me raporte të ndryshme në seancën parlamentare të 23 korrikut.





