Ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, prezantoi një platformë të re që synon kalimin gradual të rrjeteve kabllore ajrore në infrastrukturë nëntokësore, me qëllim përmirësimin e sigurisë dhe estetikës së zonave urbane.
Gjatë një aktiviteti të dedikuar, Demo theksoi se kjo nismë përfaqëson një fazë të re zhvillimi për bashkitë dhe lidhet ngushtë me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Sipas ministrit, projekti është pjesë e strategjisë “Rilindja 2.0”, e cila pritet të prezantohet së shpejti para kryetarëve të bashkive dhe publikut. Ai nënvizoi se zhvillimi i qyteteve nuk duhet të bazohet më në ndërhyrje të veçuara, por në projekte të integruara që përmirësojnë infrastrukturën dhe cilësinë e jetesës.
Ministri evidentoi gjithashtu nevojën për përgatitjen e projekteve më cilësore nga njësitë e qeverisjes vendore, në mënyrë që të përthithen më mirë fondet europiane. Sipas tij, këto fonde përbëjnë një mundësi të rëndësishme për modernizimin e infrastrukturës dhe përafrimin e standardeve shqiptare me ato të Bashkimit Europian.
“Kjo platformë hap një proces të rëndësishëm për bashkitë dhe mundësitë e të ardhshmes. Bashkitë duhet të hyjnë në një fazë tjetër zhvillimi edhe në funksion të përgatitjes së integrimit në BE. Këtë synim e mbart edhe Rilindja 2.0, në të cilën kemi filluar punën në mënyrë shumë të imtësishme dhe shumë shpejt do ta bëjmë prezente me gjithë kryetarët e bashkive, për opinionin publik. Zhvillimi i bashkive nuk mund të shihet më si ndërhyrje të veçuara , por si një proces i integruar.
Sot jemi mbledhur për dy çështje të rëndësishme, e para lidhet me modernizimin e infrastrukturën dhe de dyta lidhet me faktin që bashkitë duhet të përgatisin projekt më cilësore dhe që duhet të përthithin më mirë fondet e BE, si pjesë e procesit të integrim it dhe përgatitjes së Shqipërisë sipas standardeve të BE. Në shumë qytete shikojmë kabllo të vendosura pa standarde, shtylla të improvizuara dhe instalime që dëmtojnë pamjen e qyteteve, por janë edhe të pasigurta. Synimi jonë është që t’i vendosim ato sipas standardeve.
Ne duam që bashkitë të jenë roli kryesor i këtij transformimi. Infrastruktura nëntokësore nuk duhet parë si kosto, por si aset për qytetet. Në fund përfituesit kryesor janë qytetarët, të cilët do të kenë qytete më të sigurta dhe të pastra. Kjo është një mundësi që duhet shfrytëzuar mirë. Fondet europiane janë një mundësi shumë e mirë për pushtetin vendor. Ne do të fokusohemi tek këto mundësi”, tha Demo.
/vizionplus.tv





