Vizion Plus ka siguruar foton e Sadik Llanaj, 39 vjeçarit i cili qëlloi me armë zjarri, 27 vjeçarin Ardian Baloshi pas një sherri banal në kalçeto në Paskuqan.
Drejtori i Policisë së Tiranës Oliger Torba ka sqaruar rrethanat paraprake të ngjarjes. Torba u shpreh se viktima ka ndërruar jetë rrugës për në spital ku është dërguar nga kalimtarë të rastit.
Autori është i armatosur dhe është larguar nga vendi i ngjarjes me automjet. Ngjarja ka ndodhur në rrugë pranë një kalçetoje.
“Në spital e Traumës ka shkuar pas shenjka jete Ardian Balloshi rreth 27 vjeç. Nga konstatimet dëmtimet i ka pasur me armë zjarri. Duke parasysh rrezikshmërinë e autorit, është gjykuar që në operacion të marrë pjesë dhe forcat RENEA. Ngjarja ka ndodhur në rrugë. Janë të dy banorë të zonës. Autori ka qenë me automjet. Nuk ka të plagosur të tjerë. Viktima është dërguar në spital me automjet privat nga qytetarë të rastit”, tha Torba.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Sot, rreth orës 11:25, është marrë njoftim se në spital është transportuar pa shenja jete shtetasi A. B., rreth 27 vjeç.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit është ngritur grupi hetimor dhe janë kryer veprimet e para hetimore. Nga provat e administruara deri në këto momente, dyshohet se shtetasi A. B, është qëlluar me armë zjarri në rrugën “Dervish Luzha”, në Kamëz, pas një konflikti për motive të dobëta.
Si autor i dyshuar i ngjarjes është identifikuar shtetasi S. Ll., rreth 39 vjeç. Menjëherë janë ngritur pika kontrolli në akset kryesore rrugore, janë angazhuar forca të shtuara policore në terren dhe po zhvillohen kontrolle intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj dhe vënien e autorit përpara përgjegjësisë ligjore.
Sqarojmë se nuk ka shtetas të tjerë të dëmtuar nga kjo ngjarje.
Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për kapjen e autorit dhe do t’ju informojmë në vijim për çdo gjë që lidhet me këtë ngjarje.
/vizionplus.tv





