Prokurori i SPAK, Vladimir Mara, deklaroi se operacioni i përbashkët mes autoriteteve shqiptare dhe Antimafias së Barit është rezultat i një bashkëpunimi hetimor që vijon prej vitit 2018. Sipas tij, hetimet kanë dokumentuar episode të trafikut të drogës, pastrimit të parave dhe kanë çuar edhe në zbardhjen e një vrasjeje në Itali. Mara theksoi se grupet kriminale shqiptare kanë avancuar dhe modernizuar aktivitetin e tyre përmes bashkëpunimit me organizatat kriminale italiane.
Vladimir Mara: Hetimi ka qenë i përbashkët në vazhdën e hetimeve që nga viti 2018 e deri sot. Pra është skuadra e gjashtë hetimore mes Prokurorisë Shqiptare dhe skuadrës Antimafia të Barit. Falë këtij bashkëpunimi kemi pasur rezultate konkrete. Kemi dokumentuar episode të trafikut të drogës, episode të pastrimit të parave. Falë këtij hetimi është zbuluar dhe vrasja e një shtetasi në Itali. Ka qenë një bashkëpunim shumë i mirë, falenderoj të gjithë pjesëtarët e skuadrës së përbashkët hetimore. Ne kemi qenë dhe mbetemi bashkëpunues jo vetëm me prokurorinë e Barit por me të gjitha prokuroritë e Italisë, Evropës dhe më gjerë. Elementë të krimit të organizuar shqiptar kanë gjetur një mbështetje tek elementë të krimit të organizuar këtu në Itali duke krijuar modele të caktuara, duke bashkëpunuar, avancuar dhe modernizuar në kryerjen e veprave penale, sot nuk mund të flasim për një grup apo kombësi të krimit të organizuar, por mund të flasim, po, kemi krim të organizuar. Kemi fenomene kriminale dhe në këto kushte bashkëpunimi jonë është i domosdoshëm.
Operacioni i zhvilluar nga SPAK dhe Antimafia italiane çoi në lëshimin e 15 masave të siguris,. Deri tani janë ekzekutuar 6 masa në Itali dhe 4 në Shqipëri.
Në Shqipëri u arrestua Ergys Kastrati alias “Bishja”, i shpallur prej dy vitesh në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane. Bashkë me të ranë në pranga edhe bashkëshortja e tij, Desmira Ceco, si dhe dy persona të dyshuar për transportimin e parave të pista.
Ndërkohë, në Itali masa e sigurisë iu komunikua Igli Kamberit, i konsideruar drejtues i grupit kriminal, i arrestuar që në korrik të vitit 2025. Hetimet ndaj tij nisën pas vrasjes së një 26-vjeçari në Barletta të Italisë, ngjarje që çoi në zbulimin e rrjetit kriminal.
Sipas SPAK, grupi dyshohet se transportonte para të përfituara nga trafiku i drogës nga Italia drejt Shqipërisë. Në vitin 2024, në pikën kufitare të Muriqanit u sekuestruan mbi 680 mijë euro cash, të cilat dyshohet se i përkisnin këtij rrjeti kriminal.
SPAK ka urdhëruar sekuestrimin e 8 automjeteve, 10 llogarive bankare, 4 shoqërive tregtare dhe shumës prej 680.595 euro cash. Pasuritë rezultojnë në emër të familjarëve dhe bashkëpunëtorëve të personave të përfshirë në hetim.





