Operacion në Shqipëri e Itali, “koka” e grupit i arrestuar në 2025 për vrasjen e të riut, lëshohen 14 masa sigurie

Një operacion i përbashkët mes SPAK dhe Antimafias së Barit është zhvilluar në orët e para të mëngjesit për goditjen e një grupi kriminal të dyshuar për pastrim parash mes Italisë dhe Shqipërisë.
Sipas burimeve zyrtare, janë lëshuar gjithsej 14 masa sigurie, ku 10 prej tyre janë “arrest me burg”. Nga këto, 6 masa janë ekzekutuar në Itali dhe 4 në Shqipëri. Gjithashtu është caktuar 1 masë “arrest shtëpie” dhe 3 masa “detyrim paraqitje”.
Masa e sigurisë i është komunikuar në Itali edhe Igli Kamberit, i arrestuar në korrik të vitit 2025. Kamberi akuzohet, ndër të tjera, për vrasjen e një 26-vjeçari në Barletta të Italisë gjatë vitit 2025. Pikërisht hetimet për këtë ngjarje çuan në zbulimin e rrjetit kriminal dhe aktivitetit të dyshuar të pastrimit të parave.
Sipas hetimeve, grupi kriminal dyshohet se transportonte para të pista nga Italia drejt Shqipërisë përmes mjeteve të ndryshme të transportit. Në vitin 2024, në pikën kufitare të Muriqanit u sekuestruan mbi 680 mijë euro, të cilat po tentoheshin të futeshin në Shqipëri me automjet dhe dyshohet se lidhen me këtë organizatë kriminale.
Në Shqipëri është arrestuar Ergys Kastrati, i shpallur në kërkim ndërkombëtar prej dy vitesh nga autoritetet italiane. Bashkë me të janë arrestuar edhe bashkëshortja e tij, si dhe dy shoferë të dyshuar për transportin e parave.
Autoritetet italiane të Antimafias së Barit dhe drejtues të SPAK pritet të zhvillojnë një konferencë të përbashkët për mediat në orën 10:30 nga Bari, ku do të bëhen publike detaje të tjera mbi operacionin dhe hetimet.
/vvizionplus.tv




