Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, ka përcjellë mesazhin e tij me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke e cilësuar atë si një nga festat më të rëndësishme të besimit islam dhe një simbol të sakrificës, bindjes ndaj Zotit dhe dashurisë për njeriun.
“Kurban Bajrami është një ndër festat më të rëndësishme të besimit islam. Është festa e sakrificës, e bindjes ndaj Zotit, solidaritetit dhe dashurisë ndaj njeriut. Ajo na rikujton shembullin e Profetit Ibrahim, i cili tregoi besim, durim dhe përkushtim ndaj Krijuesit”, u shpreh Spahiu.
Ai theksoi se feja islame ndërtohet mbi paqen, respektin dhe vlerat universale njerëzore, ndërsa kjo festë, sipas tij, është një thirrje për më shumë reflektim dhe kujdes ndaj njerëzve në nevojë.
“Feja jonë ndërtohet mbi paqen, respektin dhe vlerat njerëzore universale. Kjo festë na fton të reflektojmë më shumë për njëri-tjetrin, të jemi më pranë familjeve, të moshuarve dhe njerëzve në nevojë, jetimëve dhe çdo zemër që ka nevojë për shpresë”, deklaroi ai.
Në mesazhin e tij, Spahiu bëri thirrje për më shumë mirëkuptim, dialog dhe bashkim në shoqëri.
“Kemi nevojë më shumë se kurrë për mirëkuptim, dialog, respekt dhe bashkim mes njerëzve. Shoqëria jonë ka nevojë për më shumë dashuri dhe shpresë”, tha ai.
Kreu i KMSH-së vlerësoi gjithashtu harmoninë fetare në Shqipëri si një pasuri të çmuar që duhet ruajtur dhe forcuar çdo ditë.
“Uroj që kjo festë të sjellë gëzim në çdo vatër shqiptare dhe mirësi për të gjithë shoqërinë tonë. Gëzuar Kurban Bajramin!”, përfundoi urimi i tij.
Falja e Kurban Bajramit do të zhvillohet të mërkurën, më 27 maj, në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Sipas programit zyrtar, aktiviteti do të nisë në orën 06:00 me hapjen e programit dhe do të vijojë me leximin e Kuranit nga Hafiz Enes Hyka në orën 06:05. Në orën 06:10 do të mbahet fjala përshëndetëse e Kryetarit të KMSH-së, Bujar Spahiu, ndërsa në orën 06:20 do të zhvillohet një ligjëratë nga nënkryetari i KMSH-së, Taulant Bica.
Falja e namazit të Bajramit do të kryhet në orën 06:30 nën drejtimin e Kreut të KMSH-së, ndërsa hutbeja e Bajramit do të mbahet në orën 06:35 nga Myftiu i Tiranës, Bilal Teqja.





