Studentë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut do të protestojnë këtë të martë në Tiranë në mbështetje të kërkesës për zhvillimin e provimeve të jurisprudencës në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut. Në emisionin “Live në Mëngjes” në Vizion Plus, studentët nismëtarë të protestës, Aida Turku dhe Seni Cene, shpjeguan arsyet e organizimit dhe shqetësimet e tyre për moszbatimin e të drejtave gjuhësore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Do t’i japim zë kësaj kauze sot në sheshin ‘Skënderbej’ në orën 17:00, ku presim të na bashkohen kolegë nga Maqedonia e Veriut dhe Prishtina”, deklaroi Aida Turku gjatë intervistës.
Sipas tyre, ndonëse përdorimi i gjuhës shqipe është i garantuar nga Marrëveshja e Ohrit dhe ligji i vitit 2018, studentëve shqiptarë të Fakultetit të Drejtësisë në Shkup po u mohohet e drejta për të zhvilluar provimet në gjuhën amtare. Ata theksuan se kjo çështje nuk lidhet me mungesën e njohurive në gjuhën maqedonase, por me respektimin e një të drejte të fituar dhe me ruajtjen e dinjitetit kombëtar.
Aida Turku tregoi se një grup studentësh nga Tirana udhëtuan drejt Shkupit për t’iu bashkuar protestës së kolegëve të tyre, por u penguan të protestonin. Ajo bëri të ditur se protesta në Tiranë do të zhvillohet në orën 17:00 në sheshin “Skënderbej”, nga ku studentët do të marshojnë paqësisht drejt Ambasadës së Maqedonisë së Veriut.
Nga ana tjetër, Seni Cene e cilësoi të drejtën për të protestuar si një të drejtë themelore kushtetuese dhe tha se zhvillimi i testeve në një gjuhë tjetër krijon pabarazi për studentët shqiptarë. Ai solli si shembuj modele evropiane si Belgjika dhe Zvicra, ku garantohen disa gjuhë zyrtare në administratë dhe universitete.
Studentët deklaruan gjithashtu se kanë marrë sinjale për intimidime dhe kërcënime ndaj pjesëmarrësve në protestë, por theksuan se nuk do të tërhiqen nga kauza e tyre. Ata u bënë thirrje qytetarëve dhe studentëve të universiteteve shqiptare t’u bashkohen në tubimin paqësor në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
/vizionplus.tv





