Emërimi i Skënder Hitës, si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka shkaktuar debat mes deputetëve të opozitës dhe Ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, në seancën plenare të kësaj të enjteje.
Në fjalën e tij, deputeti Klevis Balliu tha se emërimi i Hitës në krye të policisë së Shtetit dihej prej ditësh.
“Tre ditë më parë dihej se Skënder Hita do të emërohej drejtor i Policisë. U zyrtarizua një krim i radhës”, tha Balliu.
Ndërkohë, reagimi i menjëhershëm ishte nga ministri Lamallari, i cili vlerësoi figurën e Hitës si një drejtues profesionist dhe oficer karriere. Ai tha se konkurimi për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit ishte një konkurs i pastër dhe i monitoruar edhe nga ndërkombëtarët.
Sipas Lamallarit, fatkeqësia e madhe për çdo oficer është se do të mallkohet nga kjo opozitë, e cila ka si mision vetëm përbaltjen.
“Duke qenë se nuk i shpëtuam as kësaj radhe akuzave për Policinë e Shtetit. Edhe pse vetëm sot është miratuar vendimi i qeverisë për caktimin në detyrë të zotit Skënder Hitaj. Për fatin e keq të zotit Hita dhe çdokujt që do të vijë, do të ketë në kurriz edhe akuzat e opozitës. Në fakt, Policisë së Shtetit i duhet dhënë mbështetje dhe besim. Zoti Hita në fakt është oficer karriere. Kam pasur rastin të bashkëpunoj me të prej 9 vitesh. Ka qenë drejtues në disa qarqe të vendit, ku ka spikatur për profesionalizmin dhe për përkushtimin ndaj uniformës. Jam i lumtur që një ndër kandidatët më të vlerësuar, edhe nga ndërkombëtarët, ka spikatur për kontributin e tij. Sigurisht që edhe zoti Hitaj dhe paraardhësit janë mësuar tashmë se gjithçka bëhet politike. Edhe vetë Policia e Shtetit politizohet. Çfarëdo që ata të bëjnë, do të kenë mallkimin e pashmangshëm të kësaj opozite që ka mision vetëm të hedhë baltë dhe të institucionalizojë dhunën. Jo vetëm për fatin e keq të policisë, por edhe të shqiptarëve që janë në një moment të rëndësishëm për mbylljen e negociatave. Duke qenë se këtu çdo gjë politizohet, i vetmi faj që ka çdo punonjës i policisë është që deputeti në fjalë, qëkur u thirr “Bukurosh”, ka bërë obsesion dhe përdor për politikë bajate dhe ordinere emrin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Ai duhet uruar, dhe çdo punonjës i policisë duhet mbështetur, jo që në protesta të hidhni Molotov”, u shpreh Lamallari.
Ndërkohë deputeti demorkat Klevis Balliu ka replikuar sërish, duke i thënë ministrit Lamallari se ai vetëm zbaton urdhra, dhe se në fjalën e tij thjeshtë e informoi se emërimi i Skëndëer Hitës dihej prej ditësh.
“Në qoftë se nuk e kuptove, e thash që atë që ti mësove sot unë e mësova para 3 ditësh, sepse ti je mbajtës karrigesh jo ministër. Ti nuk di nga lidhet gomari. Ti nuk flet dot, se ti kërcen, fle, ha dhe ikën kur të thonë. Ti duhet të rrish të mbyllësh gojën dhe të dëgjosh”, tha Balliu.





