Teatri Eksperimental “Kujtim Spahivogli” ka gati kalendarin artistik për vitin 2026. Në fokus të këtij sezoni janë tetë premiera të reja, katër prej tyre të dedikuara për fëmijë dhe katër për publikun e rritur.
Gjergj Prevazi, drejtori i teatrit kombëtar eksperimental , tregon se repertori i ri synon të ndërtojë një raport më të fortë me publikun, duke e parë teatrin jo vetëm si argëtim, por edhe si mjet edukimi dhe formimi kulturor.
“Katër premiera për fëmijë janë një investim i drejtpërdrejtë për publikun e së nesërmes. Ne besojmë se edukimi artistik duhet të nisë herët dhe teatri është një hapësirë ideale për këtë”, tha Prevazi.
Një tjetër shtyllë e rëndësishme e Teatrit Eksperimental mbetet integrimi i të rinjve, si në nivel interpretimi, ashtu edhe në krijim. Ndaj ky institucion vijon të hapë dyert për aktorë të rinj, regjisorë dhe dramaturgë, duke i dhënë zë ideve të brezit të ri. Paralelisht me këtë qasje, dramaturgjia shqipe mbetet prioritet, me vepra që do të vihen në skenë për herë të parë ose do të rivizitohen në forma bashkëkohore.
“Ne kemi përgjegjësinë të mbështesim dramaturgjinë shqipe dhe t’i japim asaj hapësirën që meriton në skenë. Pa autorë shqiptarë, teatri humbet identitetin e tij”, tha Prevazi.
Megjithëse tetë premiera në vit mund të mos mjaftojnë për të përmbushur kërkesat e publikut të kryeqytetit, drejtuesi i teatrit thekson se filozofia e institucionit mbetet e qartë, cilësia mbi sasinë, ndërsa janë hapur thirrje edhe për projekte bashkëpunimi brenda e jashtë vendit.
“E dimë që publiku i Tiranës kërkon më shumë, por për ne është më e rëndësishme të sjellim shfaqje cilësore, sesa të rrisim numrin e premierave pa thellësi artistike. Çdo premierë kërkon kohë, kërkim dhe përkushtim, në mënyrë që publikut t’i ofrohen produkte artistike të denja dhe me standarde të larta”, tha Prevazi.
Me këtë kalendar artistik, Teatri Eksperimental “Kujtim Spahivogli” synon të ruajë identitetin e tij si hapësirë eksperimentimi, reflektimi dhe formimi kulturor, duke e vendosur teatrin në dialog të vazhdueshëm me shoqërinë dhe brezat e rinj./vizionplus.tv





