Subscribe

Nesër fillon fushata pesë ditore për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat e veriut të Mitrovicës, të cilat do të mbahen më 19 maj. Zgjedhjet e jashtëzakonshme zhvillohen në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicën Veriore pas dorëheqjes së kryetarëve për shkak të vendosjes së taksës 100% ndaj mallrave serbe. Rreth 60 mijë qytetarë kanë të drejtën e votës.

 

Situata në veri mbetet tejet e tensionuar pas debateve që synonin refuzimin e listës serbe si kandidat në këto zgjedhje. Shkak është bërë qëndrimi aspak kushtetues sipas autoriteteve përkatëse, i kandidatëve serbë të cilët e njohin Kosovën si Metohi. Megjithatë komisioni elektoral vendosi që Lista Serbe të marrë pjesë në zgjedhje.

 

Tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit së fundmi janë nxitur edhe nga një incident diplomatik në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sërgjan Jovanoviç, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe Sreçko Spasiç, këshilltar në Ministrinë e Bujqësisë janë ndaluar të shtunën nga policia serbe. Kryeministri Haradinaj akuzoi Serbinë për agresion dhe bëri thirrje që t’i japë fund përndjekjes së përfaqësuesve të komunitetit serb në Kosovë.

 

Ndalimi i dy zyrtarëve serbë që janë pjesë e institucioneve të Kosovës nxiti reagime të përfaqësuesve politikë të vendit të cilët i bënë thirrje Bashkimit Evropian të reagojë dhe të kërkojë ndaljen e veprimeve të tilla nga Serbia.

 

Gjatë muajve të fundit, në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë bllokuar dhe intervistuar nga Shërbimi serb i zbulimit edhe Slobodan Petroviç, deputet i parlamentit të Kosovës dhe kryetar i Partisë së Pavarur Liberale, si dhe të paktën tre bashkëpunëtorë të tij.

 

Po ashtu janë shënuar shpesh raste të ndalimit e marrjes në pyetje të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovë nga radhët e komunitetit serb.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *