Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e 27-vjeçarit Ardian Baloshi në Kamëz, ngjarje që tronditi zonën dhe vuri në lëvizje strukturat më të larta të Policisë së Shtetit.
Gazetari i Vizion Plus, Esido Barkaj, në një lidhje direkte në emisionin “Live në Mëngjes”, raporton se autori i dyshuar, Sadik Llani, rezulton të ketë qenë mik i viktimës. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se mes dy të rinjve kanë ekzistuar konflikte të hershme, të cilat dyshohet se janë rikthyer së fundmi dhe kanë përfunduar në mënyrë tragjike.
Mësohet se rreth dy vite më parë, Llani dhe Baloshi kanë pasur një përplasje të ashpër me njëri-tjetrin. Pas konfliktit, ata kishin arritur të pajtoheshin dhe marrëdhënia mes tyre ishte normalizuar. Megjithatë, sipas të dhënave paraprake, mosmarrëveshjet janë rikthyer më vonë, duke krijuar tensione të vazhdueshme që dyshohet se çuan deri te vrasja e 27-vjeçarit.
Ndërkohë, autori i dyshuar rezulton të jetë dënuar më herët për shpërndarje të lëndëve narkotike. Ai është shpallur në kërkim nga policia që prej ditës së djeshme dhe dyshohet se lëviz i armatosur, çka ka shtuar masat e sigurisë gjatë operacionit për kapjen e tij.
Ngjarja ndodhi në Kamëz, ku Ardian Baloshi u qëllua me armë zjarri dhe si pasojë e plagëve të marra humbi jetën. I riu u transportua me automjet privat drejt Spitalit të Traumës nga banorë të zonës, por mbërriti pa shenja jete.
Sipas të dhënave paraprake, Baloshi ndodhej pranë një lokali në momentin kur autori i dyshuar ka mbërritur me automjet. Pas të shtënave, ai është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Për lokalizimin dhe arrestimin e Sadik Llanit janë angazhuar strukturat operacionale të Policisë së Shtetit, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe forcat speciale RENEA, të cilat vijojnë kontrollet intensive në terren.
Policia ka bërë apel për bashkëpunim nga qytetarët, duke kërkuar që çdo informacion mbi vendndodhjen e të dyshuarit të raportohet menjëherë te autoritetet, duke vënë në dispozicion edhe një shpërblim prej 10 mijë eurosh.





