Difektet e lindura të zemrës përbëjnë rreth 40% të të gjitha anomalive, duke u renditur ndër më të shpeshtat tek fëmijët. Kardiopediatrja Numila Kuneshka shprehet se, nëse vite më parë këto difekte konsideroheshin të pashërueshme dhe shpesh përfundonin në fatalitet, sot ato mund të trajtohen me sukses përmes ndërhyrjeve kirurgjikale.
“Janë difektet më të shpeshta në organizëm, zënë rreth 30-40 % të të gjithë difekteve të lindura. Këto difekte trajtohen sot në në mënyrë kirugjikale plotësisht”, thotë Kuneshka.
Vitet e fundit është vërejtur një rritje e rasteve të vdekjeve të papritura tek adoleshentët. Por cilat janë arsyet që kanë çuar në rritjen e këtyre rasteve?
“Ndikon jeta sedentare, ushqyerja jo e shëndetëshme, abuzimi me drograt, por edhe fëmijë të pakontrolluar, të pa depistuar”, thotë mjekja.
Mjekja Kuneshka rendit disa nga shenjat kryesore që mund të tregojnë praninë e një defekti të lindur në zemër tek fëmijët.
“Sot është shumë e rëndësishme diagnostikimi në kohë i këtyre defekteve sepse të diagnostikuara në kohë merren edhe masa për t’u rekuperuar në kohë. Nëse një fëmijë na vjen në moshën 3-4 vjeçare, ky fëmijë nuk rekuperohet sepse është vonë për tu operuar dhe nuk e lejon gjendja fiziologjike për tu operuar”, shton Kuneshka.
Difektet e lindura të zemrës sipas bluzave të bardha shfaqen në rreth 7-8 raste për çdo 1000 lindje. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre fëmijëve kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale, ndërsa të tjerë mund të ndiqen dhe trajtohen pa operacion.





