Dy turiste nga Holanda janë shpëtuar nga shërbimet e Policisë së Shtetit, pasi mbetën të bllokuara në zonën e Shpellës së Pëllumbasit, në fshatin Pëllumbas, në periferi të Tiranës.
Sipas Policisë, alarmi u dha pasi njëra prej turisteve kishte pësuar një dëmtim në këmbë si pasojë e një rrëzimi, duke e bërë të pamundur lëvizjen në terrenin e vështirë.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me Policinë Alpine të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Tiranë, organizuan një operacion kërkim-shpëtimi. Pas lokalizimit të tyre, efektivët arritën t’i nxirrnin të dy turistet nga zona ku kishin mbetur të bllokuara.
Turistes së dëmtuar iu dha ndihma e parë në vendngjarje dhe më pas, në bashkëpunim me ekipin e ambulancës, u transportua drejt Spitalit të Traumës për trajtim mjekësor. Ndërkohë, turistja tjetër u shoqërua në një zonë të sigurt.




