Kjo e permte shënoi afatin e fundit për fermerët për të aplikuar për skemën kombëtare, por Ministria e Bujqësisë njoftoi shtyrjen e tij.
Ministri i Bujqësisë, Andis Salla deklaroi se fermerët do të kenë edhe 10 ditë kohë për aplikime. Sipas tij, deri tani kanë aplikuar rreth 40 mijë fermerë.
“Do ta shtyjmë edhe 10 ditë Skemën Kombëtare për t‘u dhënë mundësi fermerëve, duke pasur parasysh që ditët e fundit kemi pasur një rritje të ndjeshme të aplikimeve që fermerët mbase s’kanë pasur kohën e duhur të aplikojnë dhe kemi menduar ta kalojmë deri më 6 korrik për të pasur fermerët kohë të mjaftueshme të aplikojnë dhe të jenë pjesë e Skemës Kombëtare”, tha Andis Salla, ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Gjatë ditëve në vijim, Ministria e Bujqësisë do të presë një delegacion të Komisionit Europian për të diskutuar për zhbllokimin e fondeve të IPARD.
“Presim një delegacion për IPARD, në fund të muajit ose fillim të korrikut për të krijuar marrëveshjet tona dhe për të dakordësuar të gjitha procedurat që na janë kërkuar. Jemi në proces e sipër dhe na duhen edhe shumë pak ditë për tu shprehur zyrtarisht për mënyrën si ne do të qasemi për IPARd. Jemi në një proces shumë pozitiv dhe mbetemi shpresëplotë që IPARD do të jetë gati shumë shpejt”, shtoi Salla.
Ministri Salla u ndal edhe te debati i ditëve të fundit për projektligjin që lejon të huajt të blejnë tokë bujqësore në Shqipëri pas anëtërësimit në BE.
“Ne do të kemi konsultime dhe më pas do të marrim të gjithë vlerësimin e duhur. kërkon disa vite, është një proces shumë i gjatë, mbi 7 vite, nuk është për tu miratuar tani. Është një proces që do vite për tu konsultuar, amenduar dhe për ta kaluar. Do na duhet kohë apo hapësirë për ta kaluar në një aspekt ligjor. Do të dojë kohën e vet për tu përgatitur”, tha Salla.
Gjatë konferencës së përbashkët me homologun nga Kosova, Andis Salla kujtoi për fermerët edhe skemën e garancisë sovrane, duke theksuar se ajo do t’i ndihmojë bujqit e blegtorët të aksesojnë kredi me norma të ulëta interesi në bankat e nivelit të dytë.





