Dani Alves dhe Joana Sanz drejt divorcit, zbulohet arsyeja që i dha fund martesës

Një tjetër kapitull duket se po mbyllet në jetën private të ish-futbollistit të Barcelonës, Dani Alves. Bashkëshortja e tij, modelja spanjolle Joana Sanz, ka konfirmuar se ata janë të ndarë prej kohësh, duke zbuluar edhe arsyen që ka çuar në krisjen e martesës.
Në një komunikim me ndjekësit në Instagram, Sanz është pyetur nëse e shoqëron bashkëshortin në aktivitetet fetare. Përgjigjja e saj ka qenë e drejtpërdrejtë: ajo nuk beson në fenë që Alves ka përqafuar dhe sa më shumë sheh veprimet e tij, aq më shumë distancohet prej saj.
Modelja ka sqaruar gjithashtu se ndarja mes tyre ka ndodhur prej një kohe të gjatë dhe se pikërisht përkushtimi gjithnjë e më i madh i Alves ndaj krishterimit ungjillor ka qenë një nga arsyet kryesore të këtij vendimi.
Më herët, gazetari spanjoll Javi de Hoyos kishte raportuar se çifti ndodhet në proces divorci. Sipas tij, angazhimi i ish-futbollistit si predikues ungjillor dhe udhëtimet e shpeshta në vende të ndryshme për aktivitete fetare e kanë mbajtur atë larg bashkëshortes dhe vajzës së tyre. Kjo situatë thuhet se ka bërë që Sanz të ndihet e vetmuar.
Alves dhe Sanz u martuan në vitin 2017 dhe në tetor të vitit 2025 u bënë prindër të një vajze. Ata kishin kaluar më parë një periudhë krize, por më pas ishin pajtuar.
Jeta e çiftit është shoqëruar edhe me një periudhë të vështirë për shkak të çështjes gjyqësore të Alves. Ish-mbrojtësi brazilian u dënua në shkurt të vitit 2024 me 4 vite e 6 muaj burg për një çështje sulmi seksual në Barcelonë, por në mars 2025 Gjykata e Lartë e Katalonjës e rrëzoi vendimin dhe e shpalli të pafajshëm në apel. Alves i kishte mohuar akuzat.




