Kryetari i Aleancës per Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini ka bërë të ditur se partia e tij nuk do të bëhet pengesë për krijimin e institucioneve të reja, duke konfirmuar gatishmërinë për të siguruar edhe kuorumin e nevojshëm nëse kjo kërkohet. Megjithatë, gjatë një konference për media, ai theksoi se ky kontribut kushtëzohet nga disa kerkesa për hapa konkretë që mbrojnë interesat e qytetarëve.
“Nuk do të pengojmë themelimin e institucioneve, në asnjë mënyrë, nëse ka nevojë për kuorum, do ta bëjmë kuorumin, por na duhet zotimi i pastër me shkrim që këto veprime do të ndërmerren, në kundërvlerë nuk kërkojmë asgjë”, tha Gjini.
Ne konferencë me gazetarët, Gjini u ndal edhe te mundësia që Ramush Haradinaj të propozohet për postin e presidentit.
“Nëse Ramush Haradinaj do të propozohet për president, vlen e njëjta formulë, për neve do të ishte nder, por nuk jemi duke e vendosur si kusht. Ne mendojmë që Kosova nuk do të mund të kishte president më të mirë se Ramush Haradinaj tash, mirëpo nuk po duam ta bllokojmë Kosovën për këtë bindje tonën që është e plotë dhe e pandryshueshme”, tha ai.
Kushte e paraqitura përfshijnë pranimin e projektit amerikan për gazin, ndërtimin e një termocentrali me qymyr, ngritjen e pragut të TVSH-së për bizneset e vogla deri në 100 mijë euro, lirimin e tokës bujqësore nga taksa e pronës, si dhe financimin e plotë buxhetor për projektet e pezulluara të infrastrukturës.





