E mërkurë, 25 Nëntor 2026 Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

SpaceX merr dritën jeshile për projektin gjigant në hapësirë, deri në 1 milion qendra të të dhënave në orbitë

Komisioni Federal i Komunikimeve në SHBA (FCC) ka miratuar planin e kompanisë SpaceX të Elon Musk për vendosjen e një rrjeti gjigant qendrash të të dhënave në hapësirë, një projekt ambicioz që parashikon deri në 1 milion stacione orbitale që do të qarkullojnë rreth Tokës gjatë një periudhe 15-vjeçare.

Kryetari i FCC-së, Brendan Carr, e cilësoi vendimin si një hap të rëndësishëm për forcimin e pozicionit dominues të Shteteve të Bashkuara në fushën e inteligjencës artificiale, e cila kërkon kapacitete gjithnjë e më të mëdha për transmetimin dhe përpunimin e të dhënave.

“Duke zhvendosur kapacitetet përpunuese përtej Tokës, SpaceX dhe shumë konkurrentë që po punojnë për qendrat e tyre orbitale të të dhënave po i përgjigjen nevojave të kohës”, deklaroi Carr, duke shtuar se kjo nismë do të forcojë lidershipin ekonomik amerikan dhe do të bashkojë potencialin e vendit në teknologjinë e avancuar dhe eksplorimin e hapësirës.

SpaceX kishte paraqitur kërkesën për autorizimin e këtij projekti në muajin janar, ndërsa edhe presidenti amerikan Donald Trump është shprehur më herët në favor të kësaj nisme.

Reklamë

Qendrat e të dhënave në hapësirë pritet të shfrytëzojnë energjinë diellore për të furnizuar sistemet e tyre, të cilat kërkojnë sasi të mëdha energjie. Projekti vjen në një kohë kur ndërtimi i qendrave të të dhënave në tokë po has kundërshtime nga komunitetet lokale, për shkak të konsumit të lartë të energjisë dhe burimeve të tjera.

Megjithatë, projekti i SpaceX, i pagëzuar “Starmind”, përballet me sfida të shumta teknologjike dhe logjistike, përfshirë menaxhimin e mbetjeve hapësinore dhe vështirësitë që lidhen me vendosjen dhe mirëmbajtjen e një rrjeti kaq të madh në orbitën e Tokës.

Sipas kushteve të miratimit nga FCC, SpaceX duhet të vendosë në orbitë stacionin e parë të autorizuar deri më 25 nëntor 2033, ndërsa objektiva të tjera do të duhet të përmbushen në faza të ndryshme deri në vitin 2040.

Pas vendimit, Elon Musk reagoi në platformën X, ku falënderoi kryetarin e FCC-së për mbështetjen.

“Vlerësohet shumë. Ky do të jetë një aset i madh për Amerikën dhe për botën”, shkroi kreu i SpaceX.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.