Policia e Shtetit ka vendosur masa të shtuara sigurie përreth Kuvendit të Shqipërisë, ku këtë të enjte zhvillohet seanca e fundit plenare, ndërsa jashtë godinës po mbahet protesta e 54-t e qytetarëve që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Për të garantuar rendin dhe sigurinë, efektivët kanë zgjeruar perimetrin e sigurisë dhe kanë vendosur gardhe metalike në pothuajse të gjitha hyrjet që të çojnë drejt Parlamentit. Brenda zonës së sigurisë nuk lejohet hyrja e qytetarëve dhe as e përfaqësuesve të mediave.
Bllokime janë vendosur edhe në segmentin e Rrugës së Elbasanit, nga ku pritet të kalojnë deputetët me automjete, si dhe në hyrjen e pedonales pranë Ministrisë së Brendshme.
Ndërkohë, dhjetëra qytetarë janë mbledhur para Kuvendit për të vijuar protestën e tyre, e cila përkon me zhvillimin e seancës së fundit plenare.
Me pankarta dhe thirrje kundër qeverisë, protestuesit kanë brohoritur vazhdimisht sloganin “Nuk na përfaqësoni!”, ndërsa aktivistët janë shprehur se mobilizimi do të vijojë edhe në ditët në vijim.
Protesta është shoqëruar edhe me tensione. Disa qytetarë kanë zgjedhur një formë simbolike për të shprehur pakënaqësinë e tyre, duke u paraqitur me kuti të mbushura me vezë, të cilat i kanë cilësuar si “armatosjen” e tyre përballë politikës.
Vezët janë hedhur në drejtim të godinës së Kuvendit dhe forcave të Policisë së Shtetit, duke shkaktuar përplasje mes protestuesve dhe efektivëve. Disa prej demonstruesve kanë tentuar të çajnë perimetrin e sigurisë, ndërsa policia ka ndërhyrë për t’i ndaluar.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa forcat e rendit vijojnë të mbajnë nën kontroll zonën përreth Parlamentit, ku pritet të vazhdojnë protestat edhe pas përfundimit të seancës plenare.





