Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar mazhorancën për dhunë ndaj protestuesve, duke kërkuar nga foltorja e Kuvendit ndalimin e menjëhershëm të veprimeve të forcave të sigurisë ndaj qytetarëve.
Sipas Bardhit, godina e Kuvendit është rrethuar nga masa të shtuara sigurie, ndërsa tha se kjo nuk mund të justifikojë përdorimin e forcës ndaj protestuesve.
“Ky Kuvend duhet të kërkojë që dhuna ndaj qytetarëve të ndalet menjëherë. Godina është rrethuar nga forca sigurie, a thua se qytetarët tanë na rrezikojnë jetën. Pa asnjë diskutim, Taulant, të rrezikojnë të të bëjnë pis kostumin me ndonjë vezë, e di se e ke të shtrenjtë. Por halli nuk është te protestuesit, por të verifikojë markën e kostumit tënd. Nuk justifikohet dhuna ndaj qytetarëve”, u shpreh Bardhi.
Demokrati ironizoi gjithashtu masat e sigurisë të vendosura rreth Kuvendit, duke pyetur pse ishte bllokuar një perimetër kaq i gjerë.
“Për çfarë e keni vënë perimetrin deri te Rruga e Elbasanit? A thua se kush po hyn këtu? Do duhet me ju mbrojt ju nga Rruga e Elbasanit deri te Rruga e Dibrës? Frika juaj nuk mund të justifikojë kurrë dhunën ndaj qytetarëve”, deklaroi ai.
Në përfundim të fjalës së tij, Bardhi iu drejtua deputetëve të mazhorancës me tone të ashpra, duke thënë: “Bëni mirë të fshiheni se u keni marrë shpirtin qytetarëve, ky është reagimi që meritoni.”





