Një 42-vjeçar nga Lushnja është shpallur në kërkim nga Policia, pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë ndaj një 27-vjeçareje me probleme të shëndetit mendor.
Sipas njoftimit të Policisë, 27-vjeçarja është paraqitur në Komisariatin e Policisë Lushnjë e shoqëruar nga dy familjarë dhe, në prani të psikologut, ka kallëzuar se më 22 korrik 2026 një shtetas kishte kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të.
Pas kallëzimit, shërbimet e Policisë kanë kryer veprimet hetimore dhe procedurale, duke shpallur në kërkim shtetasin S. M., 42 vjeç, banues në Lushnjë, i dyshuar për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur”.
Ndërkohë, gjatë vijimit të hetimeve, Policia ka arrestuar në flagrancë edhe D. Y., 32 vjeç, vëllain e 27-vjeçares. Ai dyshohet se, ndërsa motra e tij po kryente kallëzimin në Komisariat, i ka vënë zjarrin me lëndë djegëse automjetit të nënës së 42-vjeçarit të shpallur në kërkim.
Policia vijon punën për kapjen e 42-vjeçarit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.





