Pse është ulur numri i protestuesve? Qori: Është konsistente, Rama duhet të jepte dorëheqjen

Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, në një lidhje me emisionin “Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipit në Vizion Plus, ka folur për protestën e qytetarëve.
I pyetur nga Rakipi se pse është rrudhur protesta, Qori tha se është normale pas 5 muajsh. Megjithatë, sipas tij, protesta ka treguar konsistencë dhe për herë të parë kemi një qëndresë kaq të gjatë të qytetarëve.
Pjesë nga biseda:
Rakipi: Pavarësisht skandaleve të shumta dhe hetimeve të SPAK, protesta sa vjen dhe reduktohet, ndryshe nga fillimi, shohim edhe njerëz që nuk kanë ku të venë dhe vijnë aty, si ka mundësi, pse ndodhi kjo?
Qori: Unë jam shumë optimist se ti në analizën e protestës, vjen nga një sens realizmi. Protesta ka hyrë në muajin e 5-të. Kurrë nuk ka pasur protesta kaq të mëdha, kaq të gjata dhe kaq këmbëngulëse. Për analogji, sikur dikush t’i thoshte një njeriu normal, që për 5 muaj do jetoje në ishullin më të bukur, do mërzitej. Nëse e krahasojmë me fillimin, sot ka më pak pjesëmarrje. Imagjino sikur Ramës t’i duhet të mblidhte 1 muaj rresht patronazhistët, ditën e tretë do dilnin shumë më pak. Në muajin e 5-të nuk mund të ketë aq shumë njerëz. Kjo protestë është kthyer në normalitet, prandaj qytetari një ditë vjen, një ditë mungon. Protesta në Shqipëri merr notën 10-të. Ne mund të entuziazmohemi me atë që ndodh në Francë, por ta dini se pas 5 muajsh s’do të jetë më mirë se në Shqipëri. Kjo protestë është historike. Në 36 vitet e fundit nuk ka pasur protestë që vendos në pikëpyetje sistemin politik, oligarkinë ekonomike. Mesazhet që jepen, idetë që artikulohen, thirrjet kreative, thirrjet goditëse. Nëse thirrja e parë është: Rama, jep dorëheqjen. E dyta është: Rama n’burg, Berisha n’burg. Goditje ndaj sistemit politik, protesta vazhdon të jetë fenomeni më i rëndësishëm politik. Sikur të ishim një vend normal politik, kryeministri do e kishte dhënë dorëheqjen, e do kishim zgjedhje të parakohshme. Mjafton të shohim Kosovën, pak ditë protestë dhe kryeministri Kurti rrëzohet nga gjykata speciale.
Rakipi: E dyshimtë pak.
Qori: Protesta në Kosovë nuk kërkonte dorëheqjen e zotit Kurti. Por po ta kërkonte, ai do të thoshte: Hajde, shkojmë në zgjedhje dhe shohim kush e ka shumicën.




