Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka mbyllur hetimet për fraksionin e dytë të dosjes së njohur “Metamorfoza”, duke dërguar për gjykim nëntë persona, mes tyre edhe Ervis Martinajn.
Sipas SPAK, bëhet fjalë për një nga dosjet më të rëndësishme të viteve të fundit, e cila ka goditur rrjete kriminale të përfshira në porositjen e vrasjeve, konflikte mes grupeve rivale dhe trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Në listën e të pandehurve janë Ervis Martinaj, Denis Bajri, Klaudor Hakaj, Prekë Kodra, Aleks Ndreka, Bardhyl Mavraj, Eljon Hato, Arsad Bashli dhe bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani, raporton gazetari Esido Barkaj në emisionin “Live në Mëngjes” në Vizion Plus.
Ndaj tyre rëndojnë akuza si “Grup i strukturuar kriminal”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Sigurim i kushteve për të kryer vrasje”.
Për Ervis Martinajn, SPAK ka ngritur akuza për vrasjen e Gjin Ndojit në Shkodër, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2020, si edhe për sigurimin e kushteve për vrasjen e anëtarëve të klanit Mushabelli.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, hetimet vijojnë edhe për persona të tjerë, të cilët janë ndarë në fraksione të veçanta të dosjes për shkak të nevojës për administrimin e provave.
Gazetari Barkaj raportoi se, megjithëse Ervis Martinaj rezulton i zhdukur prej katër vitesh, ai nuk është shpallur zyrtarisht i vdekur. Për SPAK-un dhe Policinë e Shtetit ai vijon të konsiderohet person në kërkim, pasi deri më tani nuk ka prova që të vërtetojnë fatin e tij.
Nga nëntë personat e dërguar për gjykim në këtë fraksion të dosjes, vetëm tre ndodhen në arrest: Aleks Ndreka, i njohur si “Leksi i Druve”, Denis Bajri, i njohur edhe me mbiemrin Brajoviç, si dhe Nuredin Dumani, në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë. Gjashtë të pandehurit e tjerë vijojnë të jenë në kërkim.
/vizionplus.tv





