Subscribe

Rreth 30 mijë biznese pjesë e profesioneve të lira janë surprizuar këtë muaj nga administrata tatimore lidhur me këstin e parë që duhet të parapaguajnë për efekt të ligjit të ri.

Bëhet fjalë për ligjin e tatimit mbi të ardhurat, që detyron bizneset të paguajnë 15 dhe 23% tatim mbi fitimin. Kësti i parë, i cili përllogaritet automatikisht nga sistemi dhe merr për referencë xhiron e vitit 2023, ka rezultuar për shumë prej tyre në shifra të papërballueshme.

Në këto kushte, kontabilistët janë të mendimit se në këtë vit të parë të aplikimit të taksimit progresiv për ta, të ketë një skemë ndryshe përllogaritëse.

“Vitin e mëparshëm shumë biznese nuk kanë bërë kujdes për shpenzimet sepse ka qenë tatim-fitimi zero. Kanë bërë kujdes për të deklaruar të ardhurat e tyre saktë, por për shpenzimet mund të ketë neglizhencë. Dhe për pasojë, tatim-fitimi del më i madh. Duhet të ishte të paktën viti i parë ndryshe. Duhet të merret në konsideratë që vitin e mëparshëm tatimi ishte zero dhe të shikohet gjashtëmujori i parë i këtij viti, si ka ecur biznesi dhe mbi këtë bazë të bëhet një përllogaritje. Për situatën specifike mbi ecurinë e këtij viti profesionistët të bëjnë parashikime të përafërta”, tha Sotiraq Dhamo.

Burime zyrtare nga administrate tatimore konfirmojnë se për ato subjekte që kanë pikëpyetje lidhur me përllogaritjen e këstit, do tu jepet mundësia që të rishikojnë këstet paraardhëse në drejtoritë rajonale, ku ata ushtrojnë aktivitetin.
Por ndërkohë, biznesi është gjendur i papërgatitur për këtë skemë të re kalkulimi. Efekti që pritet të ketë në treg ligji i ri do të jetë rritja e tarifave të shërbimit dhe gjetja e shtigjeve të reja për evazion.

“Problemi më i madh është për profesionistët e lirë që operojnë të rregulluar, ata do të deklarojnë dhe do të paguajnë fitimin. Dhe nga një periudhë që paguanin zero tatim-fitim, kalojmë në këtë periudhën tjetër dhe në këto kushte, ose do të ulim fitimin, pse do të risin tarifat. Unë mendoj që do të jetë në të dyja drejtimet. Edhe do të ulet marzhi i fitimit dhe do të rriten tarifat. Sepse të rritësh koston e shërbimit nuk është gjithmonë e lehtë.”

Partia Demokratike ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese ligjin për tatimin mbi të ardhurat. Vetë bizneset, pjesë e profesioneve të lira, thonë se edhe ata do t’i drejtohen në ditët në vazhdim Gjykatës Kushtetuese./vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *