Dy persona janë shpëtuar nga policia e Vlorës në bashkëpunim me Guardia di Finanza, pasi skafi plastik me të cilin kishin dalë për peshkim pësoi defekt dhe për pasojë u fundos në det.
Sipas njoftimit zyrtar, të dy personat janë dërguar në spital dhe fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i plotë:
Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare Vlorë, në koordinim me Guardia di Finanza, ndërhynë menjëherë, duke mbërritur në zonën detare përballë petroliferës, ku ekuipazhi i një skafi plastik peshkimi kërkonte ndihmë, pasi mjeti i tyre lundrues u fundos si pasojë e një defekti gjatë lundrimit. Falë ndërhyrjes në kohë, dy personat në bord u shpëtuan dhe u transportuan në mjetin lundrues të Guardia di Finanza, të cilët i shoqëruan në portin e Vlorës, ku më pas u transportuan në spital për ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën.
Të dy shtetasit falënderuan Policinë Kufitare dhe Guardia di Finanza për profesionalizmin dhe reagimin e shpejtë në këtë situatë të vështirë. /vizionplus.tv





