3 automjete me targa RKS, të cilat i përkasin serbëve, janë djegur orët e para të mëngjesit në veri. Lajmin e bëri të ditur Policia e Kosovës, duke theksuar se dy prej tyre janë djegur në Mitrovicën e Veriut, ndërsa një tjetër në Zveçan.
Ndërkohë dy makina me targa RKS, po ashtu në pronësi të serbëve lokalë, janë djegur dhe ditën e djeshme, teksa ende nuk dihen autorët.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Aosovës, Ramush Haradinaj, i ka cilësuar incidentet e ditëve të fundit, si skenarë për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve atje. Refuzimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhje, Haradinaj e konsideron si mungesë gatishmërie të Beogradit, për të zbatuar marrëveshjen e Brukselit.