Ka nisur dëgjesa e parë publike për projektin e rivitalizimit të Kalasë së Elbasanit, një prej investimeve më të rëndësishme që synon transformimin e zemrës historike të qytetit. Në takimin me banorët dhe bizneset e lagjes Kala u prezantua projekti paraprak, ndërsa komuniteti dha sugjerimet e para për mënyrën se si duhet të zhvillohet kjo zonë me vlera të veçanta historike dhe kulturore.
Arkitekti i projektit, Emre Arolat, tha se filozofia e ndërhyrjes bazohet në ruajtjen e identitetit historik të Kalasë, përmes ndërhyrjeve të kujdesshme dhe jo transformimeve masive.
“Për mua ky projekt ka shumë rëndësi pasi na jep një mundësi shumë të mirë për të krijuar një dizajn unik që sjell një shembull pozitiv, jo vetëm për vendin, por për të gjithë botën. Kalaja e Elbasanit ka gjurmë të kulturave të shkuara, të shkatërrimeve, të rindërtimeve dhe të jetës së përditshme. Në këtë qasje tonën, në vend që të bëjmë spastrime në shkallë të gjerë, duam të bëjmë atë që ne e quajmë akupunturë urbane, pra ndërhyrje shumë estetike urbane që na ofrojnë një alternativë më të qëndrueshme. Krijimi i hapësirave të vogla strategjike publike, përmirësimi i sipërfaqeve rrugore, ndriçimit dhe infrastruktura këmbësore, rehabilitimi selektiv, me përzgjedhje i fasadave, fuqizimi dhe përmirësimi i cilësisë publike përmes projektimit, në vend të shëmbjeve”, tha Emre Arolat, arkitekt i projektit.
Banorët e lagjes Kala kërkuan që të jenë pjesë e zhvillimit ekonomik që pritet të sjellë projekti, si edhe të përfshihen në programet për rehabilitimin e banesave të amortizuara.





