Në Strasburg, palët PS-PD, nuk kanë gjetur konsesus për rezolutën e përbashkët me Parlamentin Europian. Deklarata e përbashkët e Komitetit (ose Këshillit) të Stabilizim-Asociimit (KSA) është dokumenti zyrtar që miratohet në përfundim të takimeve periodike mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Ajo përmban vlerësimet për ecurinë e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE dhe rekomandimet për reformat, por nuk ka arritur të miratohet.
PD pretendon se PS ka refuzuar të gjitha amendamentet e tyre, por PS thotë se ka miratuar një pjesë të amendamenteve të hartuara prej opozitës.
“Komiteti Parlamentar për Stabilizim-Asociim Shqipëri–Bashkimi Evropian nuk arriti të miratojë një rezolutë të përbashkët për procesin integrues të Shqipërisë. Arsyeja ishte refuzimi nga përfaqësuesit e mazhorancës i më shumë se 30 amendamenteve të paraqitura nga Partia Demokratike, amendamente që në thelbin e tyre përmbanin kriteret dhe kërkesat jetike për avancimin e procesit të integrimit evropian.
Mazhoranca votoi kundër propozimeve që synonin intensifikimin e luftës kundër korrupsionit, heqjen dorë nga mbrojtja politike që u ofrohet zyrtarëve të akuzuar për korrupsion, zbatimin e vendimeve të gjykatave, në veçanti të Gjykatës Kushtetuese, si dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit, transparencës dhe llogaridhënies. Këto janë standarde themelore që Bashkimi Evropian i konsideron të domosdoshme për ndërtimin e një shteti të së drejtës dhe për përparimin e procesit të integrimit.
Amendamentet e Partisë Demokratike morën mbështetjen e europarlamentarëve në Komitetin Parlamentar për Stabilizim-Asociim Shqipëri–Bashkimi Evropian, por u refuzuan në mënyrë të përsëritur nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste.
Përfaqësuesit e Partisë Demokratike në Komitet ritheksuan qëndrimin e tyre të palëkundur për të bërë gjithçka në funksion të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë. Megjithatë, integrimi nuk mund të ndërtohet mbi propagandë apo deklarata politike, por vetëm mbi reforma reale dhe të prekshme për qytetarët shqiptarë. Lufta pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, respektimi i shtetit të së drejtës, zbatimi i vendimeve të gjykatave dhe rritja e standardeve të jetesës janë kushtet e vetme për ta çuar Shqipërinë drejt Bashkimit Evropian”, thotë PD.
Sipas PS, “deputetët e PD zbatuan urdhrin e Saliut” duke votuar kundër Shqipërisë në BE.
“Sot në Strasburg në mbledhjen e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri–Bashkimi Evropian, deputetët e Partisë Socialiste dhe të gjithë eurodeputetët votojnë pro Rekomandimeve në mbështetje të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, deputetët e PD zbatuan urdhrin e Saliut, siç e kishin bërë me dije, duke votuar kundër Shqipërisë në BE.
Partia Socialiste nuk paraqiti asnjë amendament në tekstin e propozuar nga Sekretariati i KPSA-së, pikërisht sepse atij teksti iu bashkëngjitën dy dokumente themelore: Rezoluta e Parlamentit Europian për Shqipërinë dhe Rezoluta e miratuar me konsensus nga Kuvendi i Shqipërisë për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Në këto kushte, përsëritja e përmbajtjes së këtyre dy rezolutave, duke hequr njëkohësisht pjesët që evidentojnë qartësisht ecurinë pozitive të Shqipërisë në këtë rrugëtim, nuk kishte as kuptim politik, as logjikë institucionale dhe as vlerë shtesë për tekstin e përbashkët.
Është po ashtu e rëndësishme të theksohet se një numër amendamentesh të propozuara nga Partia Demokratike u mbështetën dhe u votuan edhe nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste, pikërisht në frymën konsensuale që duhet të karakterizojë një proces kaq të rëndësishëm sa anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Nga ana tjetër depputetët e Partise Socialiste votuan një pjese e amendamenteve të Partisë Demokratike, me perjashtim te formulimeve që nuk pasqyronin frymën e një dokumenti të përbashkët parlamentar. Nuk mund të pranohej tentativa për të deformuar balancën e dokumentit, përmes përjashtimit të plotë të çdo reference që pasqyron progresin e njohur dhe të çertifikuar nga raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë dhe njoftimin për përmbylljen e kapitujve të negociatave.
Procesi i anëtarësimit nuk i shërbehet duke mohuar arritjet e vendit, por duke ndërtuar mbi to, me seriozitet, përgjegjësi dhe vullnet bashkëpunimi.
Partia Socialiste mbetet e angazhuar për të mbështetur çdo tekst, çdo qëndrim dhe çdo mekanizëm bashkëpunimi që i shërben realisht avancimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, mbi bazën e fakteve, standardeve dhe rezultateve konkrete të këtij procesi“, shprehet PS.
Procesi i votimit të deklaratës së përbashkët në Komitetin e Stabilizim Asociimit kërkon shumicë të dyfishtë, pra shumicën e anëtarëve të delegacioni shqiptar prej 14 deputetësh (7 të PS dhe 7 të PD) si dhe 14 eurodeputetë të PE.
Deklarata nuk ka arritur të marrë shumicën e votave nga delegacioni shqiptar, pasi votat u ndanë të të tillë mënyrë: 7 vota pro PS dhe 7 kundër PD. As delegacioni i PE nuk arriti të bënte shumicën dhe deklarata e përbashkët arriti të merrte vetëm 5 vota të eurodeputetëve.
Amendamentet e bëra nga PD shprehin shqetësime për procesin zgjedhor dhe ndikimin institucional në zgjedhje, bëjnë thirrje për transparencë me fondet e IPARD II, shprehin shqetësim për vendimet parlamentare lidhur me imunitetin e deputetëve nën hetim nga SPAK dhe kërkojnë përforcim financiar dhe të kapaciteteve të organeve të drejtësisë.
Gjithashtu i referohen shqetësimeve për zonat e mbrojtura të Vjosë-Nartës, shpronësimit të ligjshëm të pronarëve e deri te lufta kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës, pastrimit të parave etj.





