Si rezultat i kontrolleve të shtuara në territor, në kuadër të masave për rritjen e parametrave të sigurisë, parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të DVP Vlorë, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Siguria 2”.
Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi Ermal Hamzo, 38 vjeç, banues në Vlorë, me precedent të mëparshëm penal për krime kundër personit.
Ky shtetas u ndalua nga shërbimet e Policisë, ndërkohë që qarkullonte me automjet në zonën e quajtur “Kthesa e Pilurit”, Himarë. Pas ndalimit të automjetit, gjatë kontrollit në çantën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri pistoletë me krehër të mbushur me fishekë dhe 1 granatë.
Në vijim, gjatë kontrollit në banesën e 38-vjeçarit, në Vlorë, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri pistoletë, krehra, municion luftarak, 2 jelekë antiplumb dhe 2 jelekë multifunksionalë.
2 pistoletat, granata, krehrat, municioni luftarak dhe 4 jelekët antiplumb/multifunksionalë, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin dhe 2 celularë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.





