Pas ndërhyrjes në bregdetin e Shëngjinit, aksioni për lirimin e hapësirave publike është shtrirë edhe në plazhin e Tales, në Bashkinë Lezhë.
Gjatë kontrolleve të zhvilluara nga Policia Bashkiake dhe strukturat përgjegjëse, u konstatuan shkelje në tre subjekte private, të cilat ushtronin aktivitet pa lejet përkatëse dhe kishin zaptuar në mënyrë të paligjshme hapësirat publike të plazhit.
Si rezultat i aksionit, u sekuestruan dhjetëra çadra dhe shezlongë të vendosur në kundërshtim me ligjin, ndërsa ndaj dy subjekteve u vendosën masa administrative me gjobë.
Kryeinspektori i Policisë Bashkiake Lezhë, Leonard Palaj, deklaroi se monitorimi do të jetë i vazhdueshëm gjatë gjithë sezonit turistik dhe se nuk do të ketë tolerim ndaj asnjë subjekti që cenon hapësirat publike apo ushtron aktivitet në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Sipas Bashkisë Lezhë, kontrollet do të vijojnë përgjatë gjithë sezonit veror në të gjithë vijën bregdetare, nga Rana e Hedhun deri në Kune.
Qëllimi i këtij aksioni është garantimi i aksesit të lirë dhe të barabartë për pushuesit në plazhet publike, si edhe respektimi i rregullave nga të gjitha subjektet që ushtrojnë aktivitet gjatë sezonit turistik.





