Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend hartën e re territoriale, ku tashmë nga 61 bashki do të shkohet në 46 bashki.
Ashtu siç ishte parashikuar, mazhoranca ka sjellë disa ndryshime, ku janë prekur pothuajse të gjitha qarqet.
Nisur me qarkun më të madh të vendit, atë të Tiranës, Bashkia e Rrogozhinës tashmë i ka kaluar Kavajës, ndërsa Aeroporti “Nënë Tereza” do të kalojë nga Bashkia e Krujës tek ajo e kryeqytetit.
Në qarkun e dytë më të madh në vend, kemi Bashkinë e Patosit që i bashkohet Fierit, ndërsa Lushnjes i bashkohet Divjaka. Roskoveci dhe Mallakastra mbeten të paprekura.

Qarku i Elbasanit ka pësuar ndryshimet më të mëdha, ku Bashkitë Belsh dhe Cërrik i janë bashkuar Elbasanit, ndërsa Bashkia e Prrenjasit do t’i bashkohet Librazhdit. Të paprekura mbeten bashkitë Peqin dhe Gramsh.
Edhe qarku i Durrësit vjen me ndryshime, teksa Bashkia e Fushë-Krujës do t’i bashkohet Krujës.
Ndryshime do të ketë dhe në Gjirokastër, së cilës do t’i shtohet edhe Libohova. Në këtë qark ndryshime të tjera janë Memaliaj që i bashkohet Tepelenës dhe Këlcyra me Përmetin. Ndërkohë, Bashkia e minoritetit Dropull mbetet e paprekur.

Korça do të shkojë me 5 bashki. Qytetit juglindor i bashkohet Maliqi, ndërsa bashkitë e tjera Pustec, Ersekë, Bilisht dhe Pogradec mbeten njësoj.
Qarku Kukës mbetet njësoj me 3 bashki: Kukës, Has dhe Tropojë.
Lezha ka ndryshime me Bashkinë Rubik, që i bashkohet Rrëshenit, ndërsa Mamurrasi e merr Kurbini.
Në qarkun Shkodër ndryshon vetëm Bashkia Fushë-Arrëz, e cila i bashkohet Bashkisë Pukë.
Bashkisë së Vlorës do t’i bashkohet Bashkia e Selenicës, ndërsa Finiqi, Konispoli, Saranda dhe Delvina mbeten siç janë.
Në qarkun Dibër, ndryshimi vjen vetëm për Bashkinë Mat, së cilës do t’i shtohet Bashkia e Klosit.
Ndërsa në Berat do t’i shtohen Bashkia e Dimalit dhe Poliçani, teksa Kuçova dhe Skrapari mbeten siç janë.
/vizionplus.tv





