Kryeministri Edi Rama ka folur për krijimin e kompanisë Kayo sha. Qeveria ka dorëzuar në Parlament projektligjin për ngritjen e kompanisë publike që do të rigjallërojë industrinë ushtarake në vend. Shoqëria do të ketë si objekt rivënien në punë të kapaciteteve prodhuese ushtarake të vendit.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh se Kayo do të jetë një kompani shtetërore dhe se privati nuk do të ketë pjesë, duke rrëzuar kështu çdo akuzë apo pretendim të ngritur deri më tani.
Kryeministri shtoi se Kayo do të jetë në bashkëpunim me kompaninën italiane dhe shteti shqipat do të ketë 49% të fitimit.
“Kemi një çetë që nuk njeh dëgjesë por vetëm komisionin hetimor, ose ftesën për një teatër balte. Dëgjesat janë praktikë parlamentare në vendet normale dhe nuk mund të presim që dëgjesat ti organizojmë.
Dëgjesat na duhen për të trajtuar çështje që janë të një rëndësie të dorës së parë për vendin, por degradojnë në trillime e histori që hidhen për të helmuar publikun. Në Shqipëri po ndodh diçka e re. Shteti po merr pjesë në sipërmarje. Krejt e kundërta e rrugës që të çon në abuzime me fondet publike. Jo më larg se sot, zhvillohej seanca e fundit e negociatave me një nga ekselencat më të mëdha të botës, një kompani italiane, që është lider në prodhimin e anijeve. Falë kompanisë tonë publike, Kayos, kemi hyrë në negociata për marrëveshje të përbashkët dhe shteti shqiptar do ketë 49% të fitimeve.
Aktiviteti i kompanisë në portin e Pashalimanit do të bëjë që ushtria shqiptare të vazhdojë të ngrejë forcën e vet detare që të prodhojë në vend anijet, do të bëjë mirëmbajtjen e tyre dhe do të krijojë punësim të specializuar me paga të larta.
Është kompani e shtetit shqiptar dhe nuk është private”, tha Rama./vizionplus.tv





